Lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi sonte në emisionin “ZIGZAG” në TV Art ka folur për aktualitetin politik në vend, duke përmendur edhe çështjen e “dhënies” së përkrahjes së tij në natën e zgjedhjeve për Lëvizjen BESA.

“Unë kisha plan edhe pse rezultati ishte i dobët. Ne do të mbështesim Lëvizjen BESA për projektet që kanë të bëjnë me shqiptarët. Mbështetjen politike që i dhashë Lëvizjes BESA, plani ishte që ata të flasin me Aleancën dhe pastaj të dilnim të tre partitë dhe publikisht t’ia merrnim legjitimitetin Ali Ahmetit dhe t’i bënim me dije atij se negociatorët e ardhshëm me partitë maqedonase janë këto tri parti. Por, për mua ishte tërësisht e pashpjegueshme, sidomos që BESA me aq lehtësi do t`ia japin mandatin Ali Ahmetit”, tha Thaçi.

Në lidhje me BDI-në, ai tha se BDI në zgjedhjet e fundit “nuk ka humbur shumë vota, por s’ka mundur që t’i vjedhë votat sikur i ka vjedhur në zgjedhjet e kaluara”.