Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare në RMV, Menduh Thaçi, ka komentuar ngjarjet e fundit në veri të Kosovës. Në një prononcim për gazetën LAJM, Thaçi tha se këto zhvillime janë taktikë e Serbisë për të zvarritur marrëveshjen finale mes Prishtinës dhe Beogradit, që sipas tij, do të rezultojë me njohje të ndërsjelltë.

“Unë mendoj se është taktikë e Serbisë. Mendoj që Serbia dhe Vuçiqi e kanë të qartë se nuk mund t’i ikin më marrëveshjes finale për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Mendoj që Qeveria e Kosovës me ndihmën e Bashkësisë ndërkombëtare mbahet mirë. Jam shumë i kënaqur që në fund edhe Bashkimi Evropian dhe institucionet ndërkombëtare e kuptuan që Serbia me çdo kusht dëshiron të bëjë probleme. Mendoj se pas kësaj do të nisin negociatat serioze dhe mendoj se Serbia nuk mund t’i ikën më njohjes së pavarësisë së Kosovës”, tha Thaçi për gazetën LAJM.