Biznesmeni i njohur kumanovar, Bashkim Qazimi është shpallur Personalitet i Vitit në spektaklin kushtuar festave të fundvitit, i organizuar në Tiranë. Qazimi është dekoruar me këtë çmim për aktivitetin e tij humanitar dhe patriotik, thanë organizatorët e Spektaklit. Biznesmeni Qazimi tha se këtë dekoratë e konsideron jo vetëm si mirënjohje personale, por si mirënjohje për gjithë shqiptarët e Kumanovës. “Falënderoj organizatorët për këtë mirënjohje. Ky është një respekt jo vetëm për mua por edhe për gjithë Kumanovën”, tha Qazimi pasi pranoi dekoratën prestigjioze. Duke u ftuar në skenë për të pranuar Çmimin, biznesmeni Qazimi nga organizatorët e spektaklit u prezantua si njeri karakterizohet për vlerat dhe veprat humane në radhë të parë, pastaj edhe si një patriot i madh shqiptar.

“Pavarësisht se që nga rinia e hershme, ishte larguar nga vendlindja tij shumë e dashur Kumanova, për të marrë rrugën e gurbetit respektivisht mërgimit. Megjithëse jeton në Praga të Çekisë, ai për vendlindjen e tij në veçanti, por edhe për shqiptarët përgjithësi, ka bërë vepra gjigante për nga vlera. Një ndër to, është lobimi i paparë dhe kontributi i madh, që e dha duke lobuar për votën vendimtare tek Federata e Futbollit Cek, për tu pranuar Kosova në UEFA. Në planin patriotiko-kombëtar, financoi dy përmendore për dëshmorët e UÇK-ë, një në Kleçkë të Kosovës për Ismet Jasharin – Komandant Kumanovën dhe një tjetër në Sllupçan të Kumanovës, për Komandant Telin i cili në Kumanovë kishte ardhur për të luftuar nga Shqipëria. Kujdesi dhe ndihmesa e tij për UÇK-në, nuk mund të përshkruhet më pak fjalë”, tha prezantuesja Silvana Braçe, duke numëruar sukseset dhe kontributin e Qazimit, që bënë atë të denjë për të pranuar këtë çmim. Poashtu u përmend edhe kujdesi i tij i veçantë për Familjet e dëshmorëve dhe ish-ushtarët e UÇK-së, më pastaj për familjet e invalidëve të luftës së 2001-shit, si dhe përkujdesi dhe ndihmesa për luftën në Kosovë. Përveç biznesmenit Qazimi, çmimi “Personalitet i Vitit” iu nda edhe ish presidentes kosovare, Atifete Jahjaga, në shenjë mirënjohje për angazhimin e saj në rehabilitimin e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. “Unë nuk do të ndalem deri sat ë gjendet edhe fajtori i fundit për dhunën që është kryer në Kosovë. Pranimi i së vërtetës mbi krimet e luftës në Kosovë është e vetmja mënyrë që shoqëritë e dy vendeve të ecin përpara”, tha Jahjaga, duke pranuar dekoratën.