Në Gjykatën penale sot vazhdon dëgjimi i “bombave” për lëndën “Titanik” të Prokurorisë Speciale Publike (PSP) ku të akuzuar janë më shumë ish funksionarë.

Dëgjimi i “bombave” nisi të enjten kur u dëgjuan audio -materialet e para, ndërsa vazhdoi të premten me dëgjimin e 106, nga gjithsej 1.063 “bomba”.
Deri tani në materialet janë dëgjuar biseda mes ish ministres për Punë të Brendshme Gordana Jankullovska, ish ministrit të Transportit dhe Lidhjeve Mile Janakieski, ish ministrit të Financave Zoran Stavreski, shefit të kabinetit të ish kryeministrit Martin Protugjer dhe persona tjerë rreth fushatës zgjedhore për zgjedhjet e vitit 2013.

Janë dëgjuar, mes tjerash materiale për votuesit e diasporës të cilët dakordojnë transport në Itali dhe Zvicër si dhe për kandidatët potencial në zgjedhjet se kush mund të ketë shanset më të mira për të qenë në listën në njësitë zgjedhore. Para të pranishmëve në gjyq janë prezantuar edhe audio- materiale që zbulojnë se si janë mobilizuar të punësuarit në Doganë, si dhe xhirime mes ish funksionarëve ku ata bisedojnë për verifikimin e informacionit për pronën e bashkëshortes së ish presidentit Branko Cërvenkovski në Korçullë, rreth pagesës së subvencioneve, dërgimin e inspekcioneve në firma që u kanë kthyer shpinën VMRO-DPMNE-së, si dhe mungesë të materialit reklamues.

Mbrojtja përsëri kishte reaguar duke thënë se xhirimet nuk kanë asnjë dëshmi, me çka gjykatësi Osman Shabani ka thënë se provat janë pranuar dhe do të përcillen tutje, pas çka gjykata do të vlerësojë nëse kanë të bëjnë me vepër penale apo jo.

Për lëndën “Titanik”, PSP ka parashtruar 5.910 prova materiale dhe janë propozuar 191 dëshmitarë.

Ndryshe, në lëndën “Titanik” të akuzuar janë ish kryeministri Nikolla Gruevski dhe ish funksionarët Martin Protugjer, Kiril Bozhinovski, Mile Janakieski, Gordana Jankullovska, Biljana Brishkoska Boshkovski, si dhe Ilija Dimovski, Munir Pepiq, Edmond Temellko, Leko Ristovski, Kiril Todorovski, Katerina Velovska, Stanko Korunovski, Kosta Markovski, Dragçe Dragçeski, Marjan Nakevski, Goce Janevski, Xhezmi Ahmet, Robert Davitkov, Dalibor Aleshkoviq dhe Lenka Rashajkovska.

Ata dyshohen nga PSP për shoqërim kriminel, shkelje të së drejtës së votimit, shkelje të lirisë së përcaktimit të votuesve, ryshfet gjatë zgjedhjeve dhe votimit, shkatërrim i materialit zgjedhor dhe keqpërdorim i mjeteve për financim të fushatës zgjedhore në vitin 2012.