Futbollistët shqiptarë ishin protagonistët kryesorë të fitores së Maqedonisë në ndeshjen e fundit eleminatore të Botërorit. Tre prej tyre shënuan gola ndaj Lihtenshtajnit

Ishin katër titullarë, pesë që luajtën dhe tre shënues. Ky, kontributi i futbollistëve të kombësisë shqiptare për ekipin përfaqësues të Maqedonisë në përballjen e fundit të Botërorit.

Visar Musliu, Enis Bardhi dhe Arijan Ademi realizuan në sfidën e fituar 4-0 në shtëpi ndaj Lihtenshtajnit.

Musliu, lojtar i Vardarit të Shkupit, hapi rezultatin ndaj rivalit më të dobët të grupit, në stadiumin “Mlladost” të Strumicës, ndërsa golin e dytë e shënoi Aleksandar Trajkovski.
Edhe në këtë aksion mori pjesë një shqiptar si Esgjan Alioski, por edhe kapiteni Goran Pandev.

Festivali i golave, tashmë vetëm shqiptar, vazhdoi pas pushimit, me Enis Bardhin dhe Arijan Ademin.

Bardhi, talent 22-vjeçar I Levantes në Ligën e Spanjës, realizoi për të tretin, ndërsa rezultati u fiksua 20 minuta para fundit.

Ademi, i rikthyer tek Dinamo e Zagrebit dhe në përfaqësuese pas dënimit për doping, tregoi se e kishte marrë veten plotësisht, duke shënuar me forcë një gol personal.
Fitorja nuk i bëri ndonjë punë të madhe Maqedonisë, që doli e parafundit në grupin ku bën pjesë edhe Shqipëria, por gjithsesi tregoi momentin e saj pozitiv.

Në katër ndeshjet e fundit arriti fitore në Izrael, barazim me Shqipërinë, po barazim në Itali, dhe fitore me Lihtenshtajnin.