Policia e Korçës parandaloi vetëvrasjen e një të miture në këtë qytet për shkak se luante lojën e rrezikshme “Balena Blu”, ndërkohë që kanë dalë detaje të reja në lidhje me ngjarjen.

Mësohet se vajza fillimisht ishte distancuar nga prindërit dhe shoqëria dhe kontaktin me botën e kishte vetëm përmes internetit.

Pasi është sinjalizuar për këtë rast, sektori kundër krimit kompjuterik në Korçë ka ndërhyrë duke marrë masat që vajza, e cila kishte arritur deri në nivelin 30 të lojës, të mos vijonte me tej.

Policia nuk ka bërë publik emrin e vajzës, ndërkohë që mësohet se ajo është nga periferia e qytetit.

“Ndërhyrja në kohë e Policisë parandalon vetëvrasjen e një shtetaseje të mitur, e cila në rrjetin social ‘Facebook’ ndiqte udhëzime dhe ishte bërë pjesë e lojës ‘Balena Blu’. Më datë 29.06.2017, në Sektorin për Hetimin e Krimeve Kompjuterike, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, kanë ardhur disa informacione në rrugë operative se një shtetase 15-vjeçare, banuese në qarkun e Korçës, duke qenë përdoruese e rrjetit social ‘Facebook’, mund të kishte marrë disa udhëzime nga një adresë ende e paidentifikuar me përdorues Balena Blu”., – njoftoi dje policia për këtë rast të rëndë.