‘Paqja mes Izraelit dhe Palestinës është një mision i vështirë, por jo i pamundur’, kështu është shprehur Presidenti amerikan, Donald Trump, gjatë konferencës së përbashkët për mediat me Kryeministrin izraelit, Benjamin Netaniahu. Lideri i Uashingtonit në fjalën e tij tha gjithashtu se është mjaft e rëndësishme të vijojë lufta kundër terrorizmit, ndërsa theksoi rëndësinë e ndaljes së përpjekjeve të Iranit për të prodhuar armë bërthamore.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump, në ditën e parë të vizitës së tij në Izrael, ka bërë thirrje për paqe me Palestinën.
Gjatë konferencës së përbashkët me Kryeministrin izraelit, Benjamin Netanjahu, Trump tha se kjo është një përpjekje e vështirë, por shprehu besimin se angazhimi i të gjitha palëve do të sjellë një rezultat pozitiv.
“Përpjekjet tona për stabilitet përfshijnë edhe një përpjekje të rinovuar për të arritur paqen mes izraelitëve dhe palestinezëve dhe unë falenderoj Kryeministrin për vendosmërinë që ka treguar në vazhdimin e proçesit të paqes. Kjo është një përpjekje e vështirë dhe aspak e lehtë. Kam dëgjuar se kjo është një nga marrëveshjet më të vështira për t’u arrirë, por unë kam besimin se ne do të arrijmë aty me kalimin e kohës, shpresoj kështu”.
Më tej Trump nënvizoi se Shtetet e Bashkuara, Izraeli si dhe vendet të tjera të Lindjes së Mesme kanë rënë dakord që të angazhohen maksimalisht në një sërë çështjes me rëndësi.
Prioriteti kryesor për administratën amerikane mbetet lufta kundër terrorizmit si dhe shkatërrimi i Shtetit Islamik.
Gjithashtu, lideri i Uashingtonit theksoi rëndësinë e bllokimit të përpjekjeve të Iranit për të prodhuar armë bërthamore.
Sipas Trump, kjo është një ide e rrezikshme, e cila nuk duhet të vendosen në zbatim. Nga ana tjetër, Kryeministri i Izraelit falenderoi liderin e Shteteve të Bashkuara, për mbështetjen e vazhdueshme.
Ditën e martë, Presidenti amerikan do të vijojë axhendën e tij, teksa ka të parashikuar një takim në Betlehem, me homologun palestinez, Mahmud Abas.