Presidenti amerikan Donald Trump planifikon të nënshkruajë legjislacionin që kërkon sanksione ndaj zyrtarëve kinezë përgjegjës për shtypjen e myslimanëve Ujgurë, një burim i njohur me çështjen tha të hënën pa ofruar një kornizë kohore për nënshkrimin.

Sipas Reuters, përcjell Telegrafi, projekt-ligji, i cili kaloi Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së dhe Senatin me mbështetje bipartizane muajin e kaluar, bën thirrje për sanksione ndaj atyre që janë përgjegjës për shtypjen e Ujgurëve dhe grupeve të tjera myslimane në provincën Xinjiang të Kinës, ku Kombet e Bashkuara vlerësojnë se më shumë se një milion myslimanë kanë qenë të ndaluar në kampe.

Ambasada kineze në Uashington nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment, por Kina mohon keqtrajtimin e Ujgurëve dhe thotë se kampet ofrojnë aftësim profesional.

Po sipas Reuters, Pekini ka dënuar edhe më parë lëvizjet për të miratuar legjislacionin në mbështetje të Ujgurëve si sulme dashakeqe dhe një ndërhyrje serioze në punët e saj të brendshme që do të ndikonin në bashkëpunimin dypalësh.

Progresi i projekt-ligjit vjen në mes të tensioneve në rritje midis Uashingtonit dhe Pekinit mbi origjinën e pandemisë së coronavirusit dhe një përpjekje të fundit kineze për të frenuar liritë e Hong Kongut përmes një ligji të ri të sigurisë kombëtare.

Kina mohon keqtrajtimin e shpërthimit të virusit dhe ka thënë se Shtetet e Bashkuara duhet të ndalojnë ndërhyrjen në Hong Kong dhe punët kineze.