Deklarata e presidentit turk Rexhep Taip Erdoan se Turqia do të blinte sistemin rus të mbrojtjes ajrore S400 nuk është pritur mirë mes aleatëve të NATO-s. Vendimi shihet si një përpjekje e Turqisë për tu afruar me Moskën.

Shqetësim për NATO-n, optimizëm për Rusinë. Janë këto reagimet pas deklaratës së presidentit turk Rexhep Taip Erdoan, se Turqia kishte nënshkruar me Rusinë një marrëveshje për blerjen e sistemit të sofistikuar rus të mbrojtjes raketore ajrore S-400.
Duke folur për Zërin e Amerikës, zëdhënësi i Pentagonit Johnny Michael la të kuptohet se Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara për faktin se Turqia është një partner i rëndësishëm tregtar i Uashingtonit në fushën e armatimit. Siç u shpreh Michael, “Shtetet e Bashkuara dhe Turqia kanë një marrdhënie tregtare të fortë dhe domethënëse në fushën e mbrojtjes”. Dhe fakti që një partner i Shteteve të Bashkuara ble armatim nga një vend kundërshtar si Rusia, nuk shihet aspak me sy të mirë në Uashington.
Ndërsa Zaur Gasimov nga dega e foncadionit gjerman Max ëeber në Stamboll e konsideron kërkesën e presidentit turk për blerjen e sistemit raketor S-400 si një masë të shtrenjtë për të shfaqur sovranitet. Sipas tij, “kjo është një shenjë për Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Europian dhe Gjermaninë se me këtë blerje, Ankaraja shfaq vullnetin e saj për tu afruar me Moskën.
Turqia është ushtria e dytë për nga madhësia pas Shteteve të Bashkuara brenda aleancës së NATO-s.
Por blerja e sistemit të mbrojtjes raketore ruse nga Turqia mund të jetë diçka më shumë se çështje që i përkasin fushës së mbrojtjes. Shumë analistë janë të mendimit se Ankaraja po përpiqet të rivendosë normalitetin në marrdhëniet ekonomike me Moskën dhe ta nxisë Rusinë të heqë sanksionet e vendosura pas incidentit të nëntorit 2015, kur avionët ushtarakë turq goditët një bombardues rus në kufirin pranë Sirisë, duke i shkaktuar vdekjen dy pilotëve rusë.
Nga prishja e kësaj marrdhënieje, Turqisë iu shkaktua një dëm i konsiderueshëm ekonomik. U dëmtua rëndë turizmi, ku pjesa dërrmuese e turistëve të huaj që vizitonin rezortet turke ishin rusë. Para incidentit, Rusia ishte partneri më i madh tregtar për Turqinë. 250 dollarë në vit përfitonte Turqia nga eksporti i domateve drejt Rusisë.
Pikërisht pas incidentit të nëntorit të 2015-ës, Rusia vendosi në bazat e Sirisë, pranë kufijëve të Turqisë, të njejtin sistem të mbrojtjes raketore që tani kërkon ta blejë edhe Ankaraja. Bëhet fjalë për një kontratë blerjeje me vlerë 2.4 miliardë dollarë. Presidenti turk Rexhep Taip Erdoan tha të martën përpara parlamentit se Turqia blerja e këtij sistemi nuk ishte sfidë për aleatët perëndimorë, por thjeshtë një sistem i mirë për tu mbrojtur, pasi modeli S-400 është aktualisht më i miri në treg. Erdoan tha se synon edhe që këtë teknologji, Turqia ta prodhonte së shpejti edhe në vend. Dhe këtë ia kishte propozuar edhe palës ruse. Por Moska thotë se aktualisht nuk bëhet fjalë për prodhimin e këtij sistemi në Turqi. Por edhe nëse do të diskutohet në të ardhmen, ekspertët rusë thonë se do të duhet kohë e gjatë, derisa të krijohen kushtet që një teknologji e tillë e sofistikuar ushtarake, të prodhohet me cilësi të lartë në një vend të huaj.