Punimet për adoptimin e Hanit Kurshumli në Qendrën “Jonuz Emre” jo vetëm që nuk kanë përfunduar, por ky institucion është i mbyllur dhe për momentin nuk po bëhet asnjë lloj punimi. Ato realizohen nga pala turke, e cila ka marrë përsipër adoptimin e godinës në një ambient edukativo-kulturor. Por se kur do të hapet kjo qendër nuk japin shpjegime as nga Ambasada Turke, por edhe nga drejtuesit e projektit

Hapja e dy qendrave të kulturës të Turqisë dhe Maqedonisë, në Shkup dhe Stamboll kanë mbetur pezull prej dy vitesh, shkruan gazeta KOHA e Shkupit.

Në programin e këtij viti të Ministrisë së Kulturës nuk parashikohet asnjë aktivitet në Qendrën e Kulturës në Stamboll, që gjendet në një kompleks banimi në lagjen Taksim. Jozyrtarisht mësohet se kjo qendër, e cila ka të emëruar edhe drejtorin e saj do të nisë funksionimin atëherë kur të hapet edhe Qendra e Kulturës Turke në Shkup, “Jonuz Emre”.

Nga ana tjetër, punimet për adoptimin e Hanit Kurshumli në Qendrën “Jonuz Emre” jo vetëm që nuk kanë përfunduar, por ky institucion është i mbyllur dhe për momentin nuk po punohet. Në muajin shkurt të vitit të kaluar u nënshkrua edhe dokumenti final që plotësonte kërkesat e palës turke që të merrte në përdorim për dhjetë vjet pa asnjë lloj kompensimi edhe katin përdhes të Kurshumlisë.

Punimet realizohen nga pala turke, e cila ka marrë përsipër adoptimin e godinës në një ambient edukativo-kulturor. Por, se kur do të hapet kjo qendër nuk japin shpjegime as nga Ambasada turke, por edhe nga drejtuesit e projektit. Me marrëveshjen e para disa viteve më parë, dy qeveritë ranë dakord që të çelnin qendrat e kulturës në të dy kryeqytetet.

Pala turke insistoi një kohë të gjatë për t’u vendosur në Hanin Kurshumli, monument kulture dhe një prej pikave më atraktive të Çarshisë.

Po ashtu ky objekt,  i ndërtuar në shekullin 14, konsiderohet si një prej komplekseve më të arrira të arkitekturës osmane me karakter laik në Ballkan. Disa vjet më parë në katin e parë u vendos Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve, i cili u zhvendos pas kërkesës për hapjen e qendrës kulturore turke. Sipërfaqja që do të kenë në dispozicion është mbi një mijë metra katrorë,  (kati përdhes – 51 m2, kati 1 numër 1 -349 m2 dhe 524 m2).

Ndërsa Qendra e Kulturës së Maqedonisë në Taksim, në një sipërfaqe shumë modeste, iu dha në përdorim Qeverisë së Maqedonisë pas nënshkrimit të Programit të bashkëpunimit 2013-2015. Vitin e kaluar kreu i Ministrisë së Kulturës, Elizabeta Kançevska Mileska gjatë takimit me homologun turk, deklaruan se dy qendrat do të fillojnë së shpejti të funksionojnë për të promovuar dhe prezantuar kulturën dhe artin e dy vendeve.