64-vjeçari u qëllua me një plumb nga një armë zjarri pistoletë me silenciator, pak metra larg shtëpisë së tij në lagjen “Vasil Shanto”, pranë qendrës së qytetit të Shkodrës.

Plaga e plumbit e marrë pranë shtyllës kurrizore ka qenë fatale për të.

Edhe pse iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale në spitalin e Shkodrës, Ujka nuk ka mundur të mbijetojë për shkak të humbjes së sasive të mëdha të gjakut.

Pashk Ujka ka qenë deputet i Partisë Demokristiane në legjislaturën 2005-2009.

Ndërsa nga viti 2011 e deri në 2015 ai ka drejtuar Komunën e Velipojës (Sot Njësia Administrative Velipojë).

Kërcënimet ndaj Pashk Ujkës kanë qenë të njohura për Policinë e Shkodrës. Kohë më parë u qëllua drejt banesës së tij me breshëri arme zjarri, por fatmirësisht nuk pati persona të lënduar.

Ndërsa mbrëmjen e sotme, Pashk Ujkës iu bë atentat pranë banesës së tij, duke humbur jetën më pas në spital.

Edhe pse policia nuk ka ende një pistë konkrete nga hetimet e deritanishme, shkak për ngjarjen dyshohet detyra që ka mbajtur Ujka si kryetar i Komunës së Velipojës.