Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Heather Nauert konfirmoi dje të enjten, se dialogu strategjik mes SHBA-ve dhe Katarit do të mbahet të martën e ardhshme në selinë e Departamentit Amerikan të Shtetit, duke theksuar se Doha është partner strategjik i Uashingtonit.

Nauert tha se Sekretari i Jashtëm Rex Tilerson dhe ai i Mbrojtjes Jim Mattis do të kryesojnë dialogun me homologët e tyre të Katarit, duke shtuar “Ne jemi të kënaqur të presim zyrtarët e lartë të Katarit”.

“Ky takim ka për qëllim të rrisë bashkëpunimin mes Katarit dhe Shteteve të Bashkuara në shumë fusha”, tha ajo dhe vuri në dukje ekzistencën e marrëdhënieve të forta midis dy vendeve, duke e cilësuar Katarin si një partner strategjik.

“Ne presim të diskutojmë bashkëpunimin në shumë fusha midis dy vendeve tona, duke përfshirë tregtinë, investimet, çështjet e mbrojtjes, të sigurisë, ligjit si dhe luftën kundër terrorizmit dhe organizimin e trafikut ajror. Ne gjithashtu do të fokusohemi në çështjen e krizës Gjirit që vazhdon ende, mposhtjen e ISIS-it, dhe situatën në Siri, Iran, Irak dhe Afganistan”, deklaroi Nauert.

Vetëm disa ditë më parë, Presidenti Amerikan Donald Trump, i shprehu Emirit të Katarit Sheikh Tamim Bin Hamad Al Thani – gjatë një bisedë telefonike me të – falenderimet e tij për hapat që ka ndërmarrë Katari në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit në të gjitha format e tij, duke përfshirë faktin se Katari është ndër të paktat vende që kanë nënshkruar Memorandum Mirëkuptimi Bilateral me Shtetet e Bashkuara.