Ish-shefi i njësisë antiterroriste të MPB-së në Maqedoni, Dejan Vuçkoviç, i cili udhëhoqi aksionin në Lagjen e Trimave, ndodhet aktualisht në një burg në Greqi.

Ai i ka bërë apel autoriteteve greke që të mos e ekstradojnë në Maqedoni, pasi rrezikohet me jetë për shkak të ngjarjes së 9 dhe 10 majit në Lagjen e Trimave në Kumanovë.

Vuçkoviç është arrestuar në shkurt të këtij viti në bazë të një fletarrest ndërkombëtar pas arratisjes së tij nga paraburgimi shtatorin e kaluar, por më parë është arrestuar në Shkup nën akuzën për trafikim armësh dhe lëndësh narkotike, pasi gjatë një kontrolli në makinën e tij u gjet një granatë dhe një sasi prej 800 gramësh kanabis.

Sipas mediave greke, ekstradimi i tij ka të bëjë me luftimet e 9 dhe 10 majit të 2015 në Kumanovë, dhe se sipas tij, struktura të caktuara në Maqedoni e piketojnë si përgjegjës për vrasjen e luftëtarëve të UÇK-së në Kumanovë.