Ndërmarrja publike e Shkupit “Ujësjellësi dhe kanalizimi” ende nuk
mund ta caktojë çmimin e ujit që duhet të zbatohet prej 1 janarit të vitit 2018 për shkak të skadimit të mandatit të Këshillit drejtues të ndërmarrjes.
“Për shkak të përfundimit të mandatit të anëtarëve të Këshillit drejtues të NP Ujësjellësi dhe kanalizimi – Shkup, ndërkaq duke pasur parasysh atë se, ende, nuk janë emëruar anëtarë të rinj, procedura rreth propozimit për çmimin e ujit, ende, nuk ka përfunduar”, informojnë nga kjo ndërmarrje
publike.
Sqarojnë se në momentin kur do të emërohen anëtarët e rinj, procedura do të mund të vazhdojë. Anëtarët e Këshillit drejtues të NP “Ujësjellësi dhe kanalizimi” – Shkup vendosin rreth propozimit të Komisionit rregullator dhe vendimin e tyre ia dorëzojnë Këshillit të Qytetit të Shkupit.
Këshillin drejtues e emëron, përkatësisht shkarkon Këshilli i Qytetit të Shkupit, ndërsa mandati i anëtarëve zgjat katër vite.
Komisioni rregullator për energjetikë i Republikës së Maqedonisë, siç kumtoi MIA tashmë, më datën 24 të muajt të kaluar solli vendim për përcaktimin e tarifës mesatare minimale dhe maksimale për
shërbimin e ujit, furnizimit me ujë të pijshëm apo furnizim me ujë.
Qyteti i Shkupit deri më 1 janar të vitit 2018 duhet t’i përcaktojë çmimet e reja të ujit në bazë të tarifës që e përcaktoi Komisioni rregullator për energjetikë.
Sipas propozimit të KRRE çmimi i ujit për banorët në Shkup duhet të lëvizë mes 30,54 dhe 34,80 denarë. Tarifa mesatare për qytetin e Shkupit paraqet 32,68 denarë për metër kub ujë të shpenzuar. Çmimi i tanishëm mesatar paraqet 31,30 denarë. Kësaj i shtohet edhe e dhëna e re të cilën
shkupjanët do ta paguajnë prej vitit të ardhshëm për pastrim të ujërave ndotëse që sipas propozimit të KRRE-së paraqet 2,04 denarë për metër kub.
Tarifat e përcaktuara nga ana e Komisionit rregullator për energjetikë, në pajtim me Metodologjinë, janë tarifa mesatare, që do të thotë se ofruesit e shërbimeve të ujit, në suaza të përcaktuara, vetë do ta caktojnë lartësinë e tarifave sipas kategorive të shfrytëzuesve – amvisëri dhe të tjerë.
Komisioni rregullator për energjetikë i konfirmoi tarifat për 37 ndërmarrje ofruese të shërbimeve të ujit në vend.