Partia UNITETI vlerëson se vendimi i BDI-së për tërheqjen e përfaqësuesve të saj nga pushteti ekzekutiv dhe delegimin e të gjitha kompetencave ekzekutive Kryetarit të partisë është vetëm një truk parazgjedhor, në favor të vendimit të VMRO-DPMNE-së për të mbajtur zgjedhje sa më të shpejta edhepse ndërkombëtarët dhe opozita kërkojnë që paraprakisht të plotësohen kushte për këtë.

Edhe ky veprim i BDI-së tregon qartë se kjo parti e ka të domosdoshme zbatimin e vendimeve dhe politikave të partnerit të saj koalicionues, për shkak të funksionarëve të saj tanimë të hipotekuar në mënyra të ndryshme. Me këtë veprim ajo po mashtron opinionin se kinse po “shkëputet” nga VMRO-DPMNE-ja.

UNITETI edhe një herë përsëritë vendimin e organeve të saj më të lartë se do ndjekë zhvillimet politike në vend dhe do të insistojë që sa më shpejtë të krijohen kushte që qytetarët në mënyrë plotësisht të lirë të votojnë për përfundimin e kësaj agonie si dhe për ndryshime pozitive në vendin tonë.

©fol.mk