Shkatërrim e viktima solli uragani Irma, sapo preku ishujt Karaibe. Erërat e forta që arritën një shpejtësi të tmerrshme prej 300 km/orë shkaktuan 9 viktimat e para. 6 prej tyre janë regjistruar vetëm në pjesën franceze të ishullit të Sant Martinit, i famshëm në gjithë botën për rezortet turistike lluksoze. Ishulli është i ndarë në dy zona, në atë franceze dhe hollandeze. Ndërsa në Barbuda ka humbur jetën edhe një fëmijë 2 vjeç. Në këto dy ishuj, uragani ka rrafshuar 95% e ndërtesave. Ndër to është edhe aeroporti ndërkombëtar Priness Xhuliana në Sant Martin, porta kryesore hyrëse në parajsën turistike të Karaibeve. Ishujt me rreth 1800 banorë janë shndërruar thuajse në të pabanueshëm. Veç shkatërrimeve, uragani ka përmbytur gjithçka.
“Irma” është zhvendosur në Puerto Riko. Shkatërrimi i linjave elektrike ka lënë pa energji 900 mijë banorë. 50 mijë të tjerë vuajnë mungesën e ujit të pijshëm. Gjendje e jashtëzakonshme është shpallur edhe në Republikën Dominikane, Haiti, Kubë e Florida që konsiderohet si stacioni i fundit i uraganit, gjatë fundjavës. Banorët janë urdhëruar të qëndrojnë në shtëpi dhe kanë boshatisur supermarketet për të pasur rezerva ushqimore gjatë ditëve të vështira. Kryqi i Kuq ndërkombëtar njoftoi se ka marrë masat për tu ardhur në ndihmë personave në nevojë. Kombet e Bashkuara përllogarisin 37 milion njerëz, të cilët pritet të preken nga efektet e uraganit Irma, një stuhi tropikale e kategorisë 5, asaj më të lartës, që mund të ketë një bilanc edhe më të rëndë se Harvej që u mori jetën mbi 60 personave javën e kaluar në brigjet juglindore të Shteteve të Bashkuara.