Me rastin e shënimit të 23 vjetorit të themelimit të Universitetit të Tetovës, udhëheqësia e Universitetit, në krye me Rektorin Prof. Dr. Vullnet Ameti, bashkë me senatorët, dekanët, profesorët dhe studentët, bënë homazhe te busti i dëshmorit të arsimit shqip, Abdylselam Emini dhe te varri i Rektorit të parë dhe historik të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Fadil Sulejmani.

Ngjarja kryesore e shënimit të 23 vjetorit të themelimit të Universitetit të Tetovës u përmbyll me një akademi solemne që u mbajt në amfiteatrin e Rektoratit. Në këtë akademi, përveç udhëheqësisë së universitetit, profesorëve dhe studentëve, ishin të pranishëm edhe një numër i madh i personaliteteve publike si: rektorë e dekanë të universiteteve nga vendi dhe rajoni, akademikë, politikanë, deputetë, udhëheqës të bashkësive fetare, përfaqësues të biznesit dhe medies.

Akademinë e shpalli të hapur Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti. Ai tha se Universiteti i Tetovës filloi me punë sot e 23 vjet më parë, për t’i dhënë fund një herë e përgjithmonë diskriminimit që i bëhej popullit shqiptar të trevave tona dhe për të trasuar një të ardhme më të mirë për të gjitha etnitetet që jetojnë në Republikën e Maqedonisë.

“Shikuar në këtë prizëm, universiteti është platforma jonë e përbashkët, pikë gërshetimi e historisë sonë, e traditave tona, vizionit dhe idealit tonë të përbashkët. Këtu si askund tjetër mbruhet imazhi për vetveten dhe reflektimi përtej vetvetes. Universiteti i Tetovës sot vërtet feston ditëlindjen e 23-të, por është shumë më i vjetër se kaq, sepse ai lindi nga ëndrra shekullore për arsimim në gjuhën amtare, prandaj edhe mozaikun e tij, përveç shpirtit të kohës, e plotëson edhe shpirti i të shkuarës, gjaku, djersa, mundi, sakrifica dhe përvuajtja e gjyshërve, stërgjyshërve dhe katragjyshërve tanë. Ai është trualli ynë i përbashkët, ku ne për çdo vit mbjellim fidanë të rinj dhe përkujdesemi me përkushtimin më të madh për ta dhe bashkërisht i japim jetë mbarë shoqërisë, nuk lejojmë që errësira të zërë vend para dritës, pështjellimi përpara arsyes dhe injoranca përpara dijes, duke e pasuruar atë me përvoja, njohuri dhe mjete ushqyese të reja. Për shumë kohë, ky truall i përbashkët ka qenë dhe ende vazhdon të jetë vizion pushtimi nga të katër anët, megjithatë Universiteti i Tetovës do të mbetet toka jonë e shenjtë, vendi ku u ngjiz homogjenizimi kombëtar dhe filloi të jehojë gjuha jonë e ëmbël shqipe. Kthim pas nuk ka dhe më fuqishëm se kurrë ne do ta vazhdojmë rrugën drejt dijes dhe progresit, drejt të ardhmes së fëmijëve tanë, drejt qytetërimit dhe emancipimit. Nëse ne tani, në retrospektivë shikojmë pas në çdo vit akademik, përpara syve na shfaqet një universitet përplot dinamikë, i cili shkallë-shkallë po merr konturat e një institucioni prijës në vend dhe rajon dhe bëhet anëtar i devotshëm i rrjetëzimit evropian dhe botëror universitar. Vetë trajektorja e kohës e dëshmon këtë më së miri, e cila njeh vetëm ngritjen përpjetë dhe asgjë tjetër.

Jo vetëm konsolidimi infrastrukturor e dëshmon këtë, me objektin, mësonjëtoret moderne, laboratorët shkencorë, fushat dhe salla e sportit, por, para së gjithash, puna fisnike e Universitetit dëshmohet edhe me themelimin e revistave shkencore për çdo fakultet veç e veç, të cilat tashmë kanë filluar të botohen edhe në gjuhën angleze dhe të indeksohen ndërkombëtarisht, me lëvizshmërinë e studentëve, stafit akademik dhe administrativ nëpër universitetet më prestigjioze evropiane, me pjesëmarrjen në programet e Komisionit Evropian, me thithjen e projekteve të shumta evropiane, akreditimin e profesorëve tanë në udhëheqës shkencorë në nivelin master dhe studimet e doktoraturës. Bashkëpunimin e dendur me institucionet shtetërore, publike dhe private, me organizatat joqeveritare në promovimin e programeve me karakter shoqëror, si dhe me bashkëpunimin e ndërsjellë me shumë universitete nga vendi, rajoni dhe mbarë bota. Të gjithë këtyre, që i përmendëm, por edhe dashamirësve të Universitetit dhe popullit të trevave tona, ne u jemi falënderues dhe mirënjohës, që na e shtrijnë dorën atëherë kur është më se e nevojshme” – tha Rektori Prof. Dr. Vullnet Ameti.

Ai më tej në fjalën e tij gjithashtu potencoi se Universiteti i Tetovës ka kaluar më shumë periudha të vështira se sa periudha të mira. Në mënyrë të vazhdueshme ai ka qenë i anashkaluar nga shteti, kanë munguar investimet e nevojshme në infrastrukturë, ka pasur mungesë të stafit akademik, buxhet të cunguar në realizimin e suksesshëm të aktivitetit akademik dhe prirje të përçudnuara në rrafshin sintagmatik e paradigmatik, që puna e tij të vihet nën hije.

“Ky universitet i ka dhënë shumë këtij vendi, ai ka prodhuar kuadro për piramidën shtetërore në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit, ka nxjerrë edukatorë dhe mësues, inxhinierë dhe ekonomistë, mjekë dhe artistë, ka ndikuar në zhvillimin shpirtëror të shoqërisë dhe në krijimin e paqes së përhershme në shtetin tonë të përbashkët, i cili historikisht ka qenë një fuçi baroti. Prandaj dhe detyra jonë, por edhe e shtetit tonë, është që të përkujdesemi në ngritjen e përgjithshme të cilësisë në arsim, të vazhdojmë traditën në profilizimin e kuadrove tona, por mbi të gjitha, edhe të krijimit të programeve të mirëfillta të mbajtjes së tyre, duke e ndaluar trendin e ikjes së të rinjve jashtë vendit. Për transformimet e mëdha shoqërore nevojitet një simbiozë e të gjithë aktorëve, por universitetet duhet t’i prijnë këtij procesi dhe të jenë në korrelacion të vazhdueshëm me organet e shtetit. Siç dhe dihet, universitetet nuk janë kurrë një ujë që rri, që nënkupton se pa risi, bota akademike kërcënohet nga ndryshku dhe me të, edhe shoqëria. Asgjë nuk arrihet vetëm, progresi është fryt i përbashkët: i botës akademike, shtetit dhe sektorit privat. Rinia ka ëndrra, plane për jetë, kurse të gjithë ne duhet t’u bëjmë karshillëk me të gjitha asetet në dispozicion” nënvizoi më tej ai.

Në përmbyllje të fjalës së tij, Rektori ynë, Prof. Dr.Vullnet Ameti, para të pranishmëve në këtë akademi u shpreh se për çdo përvjetor të Universitetit të Tetovës, ne shprehim mirënjohjen tonë për figurat eminente nga fusha të ndryshme, sidomos e ndjejmë borxh t’i nderojmë personalitetet, që kanë dhënë një kontribut të çmuar për shoqërinë dhe mbështetjen e Universitetit të Tetovës ndër vite.

“Në këtë drejtim, Universiteti ynë deri më tani ua ka ndarë titullin Doktor Honoris Causa, personaliteteve të dëshmuara në lëmi të ndryshme, siç janë: Ish-presidentit të Republikës së Shqipërisë, Prof. Dr. Bamir Topi; Nobelistit shqiptar, Prof. Dr. Ferid Murad; Themeluesit dhe Rektorit të parë të UT-së, Prof. Dr. Fadil Sulejmani; Ish-Kryeministrit të Republikës së Turqisë, Prof. Dr. Ahmed Davutogllu; Ish-Rektorit të Universitetit të Trakisë, Prof. Dr. Enver Duran; Ish-rektorëve të Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Dhori Kule, Prof. Dr. Shezai Rrokaj dhe Dekanit, Prof. Dr. Betrit Bare; Rektorit aktual të Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Mynir Koni; Diplomatit të njohur amerikan, Xhems Perdju; Diplomatit të njohur amerikan, Prof. Dr. David L. Phillips; Rektores së Universitetit nga Çikagoja, Prof. Dr. Lisa Freeman; Profesoreshës gjermane, Prof. Dr. Beate Henn-Memmesheimer; Kardiokirurgut shqiptar me renome ndërkombëtare, Prof. Dr. Omer Xhemali; Nderit të Kombit, atdhetarit dhe intelektualit Adem Demaçi; Presidentit të Republikës së Kosovës; Hashim Thaçi; Ish-Ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Republikës së Kosovës, Prof. Dr. Arsim Bajrami. Ndërsa sot, në përvjetorin e 23-të me radhë, me vendim të Senatit të UT-së, në këtë Akademi solemne, titullin Doctor Honoris Causa do t’ia ndajmë filantropit dhe biznesmenit tonë të njohur, z. Lazim Destani. Në përmbyllje të fjalës sime, dua ta potencoj se universitetet janë më shumë se sa vetëm institucione arsimimi, për më tepër, ato janë arena të vetëdijesimit dhe ndërgjegjësimit, vatra të emancipimit dhe qytetërimit, burim i pashtershëm i rrjedhjes së fjalës së lirë, ato janë një energji, një vullkan i pashuar i proceseve shoqërore, ashtu siç ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë Universiteti ynë, i shenjti dhe i përjetshmi Universiteti i Tetovës” kështu e përfundoi fjalën e tij Rektori i Universitetit tonë Prof. Dr.Vullnet Ameti.

Në këtë akademi ishte i pranishëm edhe ambasadori i Republikës së Shqipërisë në vendin tonë, shkëlqesia e tij, z. Fatos Reka,i cili në emër të institucioneve të Republikës së Shqipërisë iu drejtua të pranishmëve në akademi me fjalë përshëndetëse. Ai tha se UT-ja ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në formimin e brezave të tërë të studentëve dhe më vonë të inxhinierëve, arsimtarëve e kështu me radhë.

“Është kënaqësi që sot jam në mesin tuaj, në shënimin e këtij përvjetori, ku ju sonte nderoni me titullin Doktor Nderi i Shkencave i Universitetit tuaj z. Lazim Destanin. Dëshiroj që z. Lazim Destanit dhe Universitetit të Tetovës t’u uroj jetë të gjatë, universitetit jetëgjatësi për të vazhduar në të gjitha drejtimet si një vatër e arsimit shqip në formimin e brezave intelektual në Republikën e Maqedonisë dhe z. Lazim Destanit, shëndet suksese dhe mbarësi në veprën e tij filantropike në të mirë të kombit shqiptar kudo që ata jetojnë” – nënvizoi z. Fatos Reka, Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Maqedoni.

Ndërsa në emër të institucioneve të Republikës së Kosovës, me fjalë përshëndetëse auditorit iu drejtua Rektori i Universitetit të Prishtinës, Prof. Dr. Marjan Dema. Ai tha se me themelimin e Universitetit të Tetovës gjendja politike, ekonomike, sociale, shoqërore e kombëtare e shqiptarëve në Maqedoni ka ndryshuar dukshëm. “Ku ishim para 23 viteve? Nëse ndalemi për një moment dhe bëjmë një krahasim të gjendjes aktuale dhe të asaj para 23 viteve të elementit shqiptar në Maqedoni do të vërehet një dallim i madh në të gjitha fushat e jetës. Deri te ky ndryshim ka ardhur duke iu falënderuar Universitetit të Tetovës që me kontributin e stafit akademik, rinisë, intelektualëve, qytetarëve shqiptarë të Maqedonisë, diasporës të ndihmuar nga profesorët e Universitetit të Prishtinës dhe Universiteteve të Shqipërisë arriti që ta ndryshojë këtë nënqiell, duke e shndërruar atë në një vend që siguron një të ardhme të sigurt për të rinjtë e vendit të vet” – theksoi Prof. Dr. Marjan Dema, Rektori i Universitetit të Prishtinës.
Pas fjalimeve përshëndetëse në këtë akademi, Universiteti i Tetovës e laureoi me titullin Doctor Honoris Causa filantropin dhe biznesmenin e mirënjohur shqiptar z. Lazim Destani. Kryetari i Komisionit Recensues, Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar i UT-së, Prof. Dr. Arbër Çeliku, lexoi referatin për laureatin, z. Lazim Destani. Ai tha se duke u bazuar në personalitetin dhe aktivitetet tashmë të dëshmuara të z. Lazim Destani në spektrin e gjithmbarshëm shoqëror, të cilat ngërthejnë në vete shpirtin human, arsimdashës dhe kombëtar, Komisioni Vlerësues në përbërje, Prof. Dr. Vullnet Ameti, kryetar, Prof. Dr. Arbër Çeliku anëtar dhe Prof. Dr. Reshat Qahili anëtar, dha miratimin për dhënien e titullit Doctor Honoris Causa të Universitetit të Tetovës z. Lazim Destanit dhe njëkohësisht i propozoi Senatit, si organit më të lartë të Universitetit, që vlerësimin e Komisionit ta marrë në konsideratë dhe z. Lazim Destanin ta shpallë Doctor Honoris Causa të Universitetit të Tetovës. Si anëtarë të Komisionit Vlerësues dhe në emër të Universitetit të Tetovës dhe popullit shqiptar të këtyre trevave, jemi të bindur se me këtë akt ne përmbushim një detyrim moral dhe kombëtar si dhe shprehim mirënjohjen tonë ndaj punës dhe veprës së palodhur të këtij humanisti dhe atdhetari të pashoq” vlerësoi Prof. Dr. Arbër Çeliku.

Vendimin e Senatit për ndarjen e titullit Doktor Nderi i Shkencave për z. Lazim Destani, e bëri publik promotori, Prorektori për Arsim i UT-së, Prof. dr. Reshat Qahili. Gjatë leximit të vendimit, ai tha: “Në bazë të Ligjit për Arsimin e Lartë të Republikës së Maqedonisë dhe nenit 268 të Statutit të Universitetit të Tetovës, Senati i Universitetit të Tetovës, në mbledhjen e rregullt të mbajtur më 29 nëntor të vitit 2017 solli: Vendim për dhënien e titullit Doctor Honoris Causa të Universitetit të Tetovës për z. Lazim Destani. Ky titull, z. Lazim Destanit i jepet për kontributin e çmuar në sferën e humanizmit, avancimin e kulturës dhe sportit, promovimin e çështjes kombëtare në rrafshin global dhe mbështetjen e vazhdueshme dhe të pa rezervë të Universitetit të Tetovës ndër vite” – shtoi Prof. Dr Reshat Qahili.
Laureatit z. Lazim Destani ia ndau diplomën Rektori i UT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti dhe bashkë me të ia dhuroi edhe Flamurin dhe Logon e madhe të Universitetit të Tetovës, si dhe portretin e Rektorit të parë dhe historik të UT-së Prof. Dr. Fadil Sulejmanit.
Pas marrjes së diplomës, z. Lazim Destani me fjalë përshëndetëse dhe falënderuese iu drejtua auditorit. Ai tha se është kënaqësi dhe privilegj të jem në Universitetin e Tetovës, për ta pranuar çmimin më të lartë shkencor që e jep ky universitet, titullin Doktor Nderi. “Ju faleminderit për vlerësimin e lartë që po më bëni. Ky nderim nuk më takon vetëm mua, por të gjithë atyre që më mbështetën e që kemi punuar së bashku. Ata janë një varg i tërë njerëzish duke nisur nga prindërit, bashkëshortja dhe fëmijët e mi, e deri te njerëzit që i kam pasur pranë vetes gjatë gjithë karrierës sime. Përpjekjet dhe sakrificat për ngritjen e Universitetit të Tetovës akoma i kemi të freskëta në kujtesën tonë. Janë të gjithë ata profesorë e studentë dhe mbarë populli ynë që me përkushtim të madh, bënë aq shumë që ne sot ta shohim Universitetin e Tetovës përkrah universiteteve më të mirë të rajonit. Andaj, nga kjo foltore, do të doja fillimisht t’ju drejtohem juve të dashur studentë. Unë optimizmin tim e mbështes te ju, te rinia jonë e shëndoshë shqiptare, që për dallim nga kohët e shkuara, i gëzoni kushtet për të bërë studime cilësore të standardit europian. Kini besim te vetja, sepse gjithsecili prej jush i ka dyert e hapura për të arritur majat e suksesit, ndërsa rruga që të çon atje është vetëbesimi, puna, përkushtimi si dhe synimi për të pasur të ardhme të lumtur. Ju jeni e ardhmja e vendit. Rinia e shëndoshë, e arsimuar e me kulturë është garanca më e mirë për zhvillimin e gjithmbarshëm dhe për të ardhmen e vendit. Dëshiroj gjithashtu t’i përcjell respektin dhe urimin tim stafit akademik të universitetit. Të nderuar profesorë, për ta pasur sot këtë universitet, ju kaluat kohë të vështira duke sakrifikuar shumë, ju i dhatë forcë Universitetit të Tetovës që t’u bëjë ballë sfidave të shumta” tha laureati z. Lazim Destani.

Në fjalën e tij, laureati z. Lazim Destani, mes tjerash, evokoi kujtime nga periudha e themelimit të Universitetit të Tetovës.

“I kam të freskëta kujtimet nga ajo kohë, kur si shumë të tjerë, kam qenë përkrah Rektorit të parë dhe historik të Universitetit të Tetovës, profesor Fadil Sulejmanit. Kontributi për arsimin shqip për mua ka qenë detyrim, ashtu siç është detyrim i çdokujt, sipas mundësive që ka, të bëjë përpjekje për jetësimin e të gjitha projekteve që çojnë drejt progresit tonë kombëtar. Të dashur miq, roli i universiteteve është thelbësor për formimin e ideve për të ardhmen.

Ndërkaq edhe bizneset nuk janë subjekte abstrakte, ato krijohen prej njerëzve dhe rrethanave. Dhe në këtë pikë e shoh edhe aleancën e ngushtë mes universiteteve dhe afarizmit. Për ta çuar përpara ekonominë dhe shoqërinë në përgjithësi, filantropia paraqet një fushë të rëndësishme aktivitetesh dhe meriton vëmendjen e afaristëve. Afarizmi gjithsesi mbetet gjenerator i rëndësishëm për zhvillimin e një vendi, por filantropia është një vegël kyçe për adresimin e sfidave të shoqërisë dhe është shumë më shumë sesa bamirësia. Le të punojmë për ngritjen e vazhdueshme të cilësisë së arsimit dhe për kulturën tonë kombëtare. Zoti e bekoftë arsimin shqip” – shtoi më tej laureati z. Lazim Destani.

Kjo akademi u përmbyll me një program artistik, me interpretimin e disa këngëve nga profesorët e Fakultetit të Arteve të Universitetit tonë, Selami Kolonja dhe Kastriot Tusha, të shoqëruar në Piano nga Taulant Kolonja.
Zyra për informim