Pasi pranuan dozën e parë të vaksinave që erdhën nga Serbia, ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, njoftoi sot se vaksinimi në vend do të fillojë të mërkurën. Të parët që do të imunizohen kundër virusit Kovid19, janë punonjësit shëndetësor në klinikën modulare në Qendrën Klinike në Shkup, ndërsa me radhë punonjësit e tjerë shëndetësore që janë të angazhuar drejtpërdrejt në punë me pacientë të prekur nga virusi korona dhe sektorët e tjerë të shëndetësisë.

Venko Filipçe, ministër i shëndetësisë

“Kjo krizë tregoi se solidariteti është i rëndësishëm dhe se nuk ekzistojnë kufijtë. Ne jemi plotësisht të gatshëm, vaksinat tashmë janë në rrugë që të vendosen në frigoriferët përkatës. Pas paralajmërimit të premten në mbrëmje nga Fajzeri, ne gjatë ditës së djeshme kemi punuar. E nënshkruam marrëveshjen, që ishte kusht që të ndodh ky donacion nga Serbia. Vaksinat janë sot në vendin tonë. Gjatë ditës së nesërme do të përfundojë procedura e rregullt në Agjencinë e Ilaçeve, pas çka vaksinimi do të fillojë të mërkurën me punonjësit shëndetësorë në klinikën modulare në Qendrën Klinike në Shkup”

Sipas Planit të Përcaktuar Kombëtar për Imunizim të Popullatës, vaksinimi do të zhvillohet në tre faza, ku në fazën e parë janë punonjësit shëndetësorë të angazhuar në qendrat e Kovidit, personat e moshuar me rrezik të lartë për komplikime dhe shkallë të vdekshmërisë, ata me sëmundje kronike dhe personat më të vjetër se 70 vjet.

Ditëve në vazhdim pritet të arrijë edhe pjesa tjetër prej 8000 vaksinave që kishte premtuar Sërbia, ndërsa vendi pret që nga Kina të importohen edhe 200.000 doza vaksinash për të cilat të hënën u nënshkrua marrëveshja, ndërsa sasi të tjera priten edhe nga Kompania Fajzer dhe përmes mekanizmit Kovaks.