Nëse Ministria e Arsimit dhe Shkencës flet për profesionalizëm, cilësi, rezultate dhe meritokraci, atëherë lind një pyetje krejtësisht e natyrshme dhe legjitime:
Si është e mundur që në mesin e 13 mësimdhënësve të përzgjedhur për punën dhe rezultatet e tyre gjatë vitit shkollor 2025/2026, të mos ketë asnjë mësimdhënës shqiptar?
A thua në arsimin shqip nuk ka mësimdhënës me rezultate?
A thua nuk ka mësimdhënës të përkushtuar?
A thua nuk ka kolegë që për vite me radhë punojnë me nxënësit, fitojnë gara, realizojnë projekte dhe japin kontribut të jashtëzakonshëm në arsim?
Këto pyetje nuk mund të anashkalohen me një komunikatë të bukur për “cilësi” dhe “meritë”.
Nëse përzgjedhja është bërë vetëm mbi bazën e meritës, atëherë Ministria duhet të dalë publikisht dhe të bëjë transparente:
kriteret e plota të përzgjedhjes;
pikët dhe vlerësimin për secilin kandidat;
përbërjen e komisionit;
numrin e kandidatëve shqiptarë që kanë aplikuar;
dhe arsyet konkrete pse asnjë nga 13 të përzgjedhurit nuk është mësimdhënës shqiptar.
Barazia në arsim nuk matet vetëm me fjalë. Ajo dëshmohet me vendime, me transparencë dhe me përfaqësim të drejtë.
Mësimdhënësit shqiptarë nuk kërkojnë privilegj. Kërkojnë që puna, rezultatet dhe profesionalizmi i tyre të vlerësohen me të njëjtat standarde si të gjithë të tjerët.
Prandaj, Ministria e Arsimit dhe Shkencës i detyrohet opinionit publik një përgjigje të qartë:
Pse nga 13 mësimdhënës të shpërblyer, asnjë nuk është shqiptar?
Kjo nuk është çështje e një individi.
Është çështje e barazisë, transparencës dhe besimit në institucionet e arsimit.
Përgjigjet kërkohen me fakte, jo me deklarata.

