Rezultatet e deritanishme të referendumit i ka komentuar edhe ish ndrëmjetësi belg, Piter Vanhoutte, i cili i ka uruar të gjithë qytetarët që kanë përkrahur Marrëveshjes e Prespës dhe të ardhmen e tyre drejt BE-së, shkruan SHENJA.

Rreth asaj që nuk është arritur dalje e mjaftueshme e qytetarëve në votime, Vanhoutte shkruan se është fatkeqsi që nga viti 2016, kur ai angazhohej për dialog mes partive politike, nuk janë bërë përpjekje serioze për rishikim të listës zgjedhore dhe në rishikimin e mënyrës se si do të menaxhohet numri i madh i qytetarëve që lëshojnë vendin për të jetuar jashtë Maqedonisë.

Vanhoutte gjithashtu i drejtohet me një apel Qeverisë së Maqedonisë, ku thotë se nuk ka arsye për të bërë hapa mbrapa, por që duhet vazhduar me punë, pasi sipas tij, ky është “obligim i mallkuar. “Mos harxhoni kohë dhe para në zgjedhje të parakohshme përsëri, por angazhohuni në zgjidhjen e problemeve të shumta në vendin tuaj”, shkruan Vanhoutte.

Ai shton se duhet punuar për përmirësimin e ekonomisë, sundimit të ligjit, sistemit shëndetësor dhe arsimor, duke theksuar që një betejë e humbur, nuk nënkupton se është humbur gjithçka. Vanhoutte gjithashtu thotë se një marrëveshje përfundimtare me Greqinë është akoma e mundur, vetëm se duhet rishikuar mënyra e zbatimit të saj pa ndonjë prolongim.