Inspektorati i Shkupit nuk ka çfarë të bëjë më shumë për të zgjidhur më tej problemin me Vardarishten. Kanë dalë në terren, kanë takuar njerëz që djegin mbeturina, por nuk mund t’i dënojnë për shkak se nuk kanë dokumente identifikimi. Kërkojnë ndihmën e policisë që të realizojë patrullim gjatë gjithë kohës, që mos të lejohen deponim i mbeturinave në vendin i cili formalisht figuron si stacion i ngarkim – shkarkimit të Higjienës Komunale.

“Tash duhet policia të angazhohet. Duhet patrullim i vazhdueshëm, sepse ne shkojmë, inspektojmë, por nuk mund ta sigurojmë vendin tërë kohën”, deklaroi për TV21, kryeinspektori i Shkupit, Mirosllav Bogdanovski.

Në afërsi të Vardarishtes veprojnë tre ndërmarrje të cilat merren me mbeturina me leje nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor. I pari i Shkupit, Petre Shilegov thotë se i monitorojnë, por nuk mund t’i sanksionojë edhe nëse ata janë përpunuesit joformal.

“Qyteti nuk ka kompetencë që t’i monitorojë apo sanksionojë nëse të njëjtit veprojnë në mënyrë të parregullt. I monitorojmë, sepse inspektorët tanë janë atje vazhdimisht, për shkak se ekzistojnë tre pika të egra, përpunues joformal të mbeturinave që të kryejnë shitje të mbeturinave komunale”, deklaroi i pari i Shkupit, Petre Shilegov./TV21