Verë e varfër pa mërgimtarët

Korriku dhe gushti janë dy muaj kur në rajonin e Pollogut kthehen mërgimtarët në vendlindje. Gjatë kësaj kohe lulëzojnë shumica e bizneseve, qoftë të vogla qoftë të mesme. Të gjithë tregtarët sytë i kanë nga mërgimtarët ngase prej tyre varet edhe mbijetesa. Por, këtë vit gjendja mund të përkeqësohet dukshëm për tregtarët dhe jo vetëm, sepse edhe një pjesë bukur e mirë e qytetarëve mbijetojnë nga prurjet e mërgimtarëve. Pandemia Covid 19 ka frikësuar në masë të madhe mërgimtarët tanë që ditët e pushimit vjetor t’i kalojnë ne vendlindje. Janë të paktë ata mërgimtarë që kanë vendosur të kthehen këtë verë tek të afërmit e tyre. Sipas informacioneve që qarkullojnë në mesin e mërgimtarëve, shtetet e Evropës kanë vendosur një rregull që nëse vizitohet Maqedonia në këtë periudhë, atëherë pas kthimit do të duhet që të qëndrojnë në izolim dy javor. Ky rregull aspak nuk u konvenon mërgimtarëve sepse pjesa dërmuese e tyre pothuajse aq kanë pushim. “Këtë verë vështirë se do të kthehemi sepse gjithandej dëgjojmë lajme se kur do të kthehemi do qëndrojmë në izolim, dhe kjo aspak nuk na përshtatet neve sepse në këtë mënyrë do të na humbin shumë ditë. Nëse në ndërkohë ka ndonjë lajm tjetër atëherë do të vijmë në vendlindje”, thotë Bakiu, një mërgimtarë në Danimarkë.

Edhe shumë mërgimtarë të tjerë ndajnë këtë mendim duke hezituar që këtë verë të vijnë në vendin e tyre të lindjes. Kjo me siguri do të ketë pasoja të rënda për ekonominë në rajonin e Pollogut, ku papunësia mbetet në nivel të lartë, kurse pjesa dërmuese e bizneseve përfitimet i kanë nga blerjet që bëjnë mërgimtarët. Pronarët e lokaleve afariste nga ana tjetër pohojnë se asnjëherë situata nuk ka qenë në këtë nivel në fillim të korrikut. “Zakonisht viteve të kaluara në fillim të korrikut kemi filluar të punojmë më shumë dhe kjo ka zgjatur deri kah mesi i gushtit dhe pikërisht nga ato përfitime mbijetojmë njëmbëdhjetë muajt tjerë. Nga ajo që dëgjojmë këtë verë shumë pak mërgimtarë do të kthehen, dhe kjo për ne do të thotë kolaps, sepse të ardhura tjera nuk kemi përveç atyre që sjellin mërgimtarët”, thotë Gazmendi, një pronar lokali në Tetovë.

Nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri Perëndimore thonë se moskthimi i mërgimtarëve impakt do të ketë jo vetëm në ekonominë e rajonit të Pollogìt, por në tërë shtetin. “Mos ardhja e tyre sigurisht se do të ketë ndikim negativ jo vetëm në rajonin e Pollogut, por edhe në ekonominë e shtetit në përgjithësi. Do të thoja se impakt do të ketë edhe në shtetet tjera fqinje, sepse ekonomitë janë të ndërlidhura. Unë nuk shoh se pasojat mund të jenë fatale, sepse prurjet e mërgimtarëve nuk kanë efekt vetëm për një vit ngase ato mjete qarkullojnë në ekonomi nga viti në vit. Më e goditur do të jetë sfera e patundshmërisë, sepse ka rënë dukshëm shitblerja e banesave ngase blerja e tyre në kohë pandemie nuk është prioritet”, thotë Menderes Kuqi, përfaqësues i OEMVP-së.

Krahas kësaj,shumë ahengje familjare janë anuluar për shkak të pandemisë Covid 19, dhe kjo në mënyrë të drejtpërdrejt do të ketë impakt në punën e restoranteve që organizojnë ahengje të ndryshme familjare. Po ashtu,mosardhja e mërgimtarëve do të ketë pasoja edhe në punën e artarive dhe butiqeve, të cilat punën më të madhe e kanë pikërisht nga organizimi i dasmave. Nëse kjo gjendje vijon gjatë këtij sezoni, shumë biznese të vogla, por edhe të mesme do të detyrohen të mbyllen, dhe kjo do të shtojë edhe më shumë numrin e papunësisë ngase pjesa dërmuese e fuqisë punëtore është e punësuar në sektorin privat. (koha.mk)