Banorët e Reçicës së Vogël, që jetojnë në rrugën 146, kanë alarmuar rrezikun për përmbytje dhe vërshime të reja nga përroi që del nga shtrati kur ka reshje më të mëdha në këtë periudhë. Rrjedha e këtij përroi ka sjellë me vete mbeturina, tokë, gurë, baltë nga pjesa më e lartë që është tek kthesa për në fshatin Rasadishtë.

Në këtë pjesë, sipas banorëve, hidhen mbeturina dhe materiale ndërtimore, të cilët kur ka reshje atmosferike – sillen sërish poshtë në këtë lagje. Në këtë pjesë të lagjes Reçicë, dy vite më parë kishte vërshime të mëdha, të cilët bllokuan këtë lagje për ditë të tëra. Banorët që jetojnë në këtë lagje kanë shprehur shqetësimet e tyre se mund të përsëriten situata të njëjta, kurse problem ka qenë edhe zënia e kanalizimit atmosferik dhe më pas uji ka vërshuar nëpër rrugët e kësaj lagje.

Qytetarë të kësaj zone periferike të Tetovës, janë shprehur se nevojitet intervenim urgjent për të përmirësuar situatën që të evitohen përmbytje të reja. “Duhet të ndalohet hedhja e mbeturinave dhe materialeve në pjesën e lartë të kësaj lagje. Ne e dimë se çfarë dëmesh kemi patur në kohën e vërshimeve në vitin 2015, dhe gjithmonë kur ka reshje të shiut – kemi frikë për vërshime të reja. Prandaj, ne vetë si banorë fillimisht kemi dalur që të evitojmë vërshime nëpër shtëpi, por duhet një intervenim më i mirë nga ana e autoriteteve komunale që të rregullohet kjo punë. Por kryesorja është që të ndalohet hedhja e mbeturinave”, thotë një banor i kësaj lagje. Në ndërkohë, sipas informacioneve, edhe mbrëmë ekipet e Komunës së Tetovës kanë dalë në terren për të sanuar problemin. Lidhur me këtë problem kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, tha se situata e krijuar në Reçicë të Vogël ka qenë për shkak të shkrirjes së dëborës kur edhe ka patur sasi të mëdha të ujit.

“Ka patur një devijim të përroit në atë pjesë, ekipet tona kanë dalë që ditën e hënë pasdite në terren, kanë intervenuar. Vazhdohet të intervenohet në atë pjesë edhe gjatë ditës së sotme. Situata është e sanuar, edhe ashtu siç kemi punuar projekte për pika të ndryshme ku janë paraqitur rrjedhje të lumenjve, me qëllim që në të ardhmen të mos kemi situata të këtilla dhe të shkaktojë probleme për qytetarët”, ka deklaruar Teuta Arifi, kryetare e Komunës së Tetovës.

Aktualisht, në viset tjera të Tetovës – situata paraqitet stabile nga vërshime të reja të rrjedhës së lumenjve në rajonin më të gjerë të Tetovës. Darko Bllazhevski, kryetar i Komunës së Jegunocit, tha se me kujdes e përcjell situatën dhe janë të gatshëm për intervenim eventual, nëse sërish vjen deri në rritje të nivelit të Vardarit. “Mbrëmë, deri në orët e hershme të mëngjesit e kemi ndjekur situatën. Nesër, Komisioni komunal do të bëjë vlerësim të dëmit. Jemi në kontakt me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujërave që të bëhet vlerësim më i shpejtë i dëmeve. Biseduam edhe me kryeministrin Zoran Zaev që të na ndihmojë për parandalim dhe zgjidhje të situatës me vërshimet dhe të pengohet që situatat e tilla të përsëriten”, tha Bllazhevski. Për shkak të shkrirjes së borës dhe reshjeve të shiut, ishin vërshuar më shumë fshatra nga Komuna e Jegunocit. Ishte vërshuar edhe sipërfaqja rreth rrjedhës së epërme të lumit Vardar në Forinë të Gostivarit dhe në Strimnicë të Tetovës.

Edhe Qendra për Menaxhim me Kriza informoi se situata ngadalë po normalizohet, dhe se niveli i ujit në të gjitha vendet e rrezikuara, ku Vardari mbrëmë kishte dalë, po zvogëlohet. Në fshatin Poroj, niveli i lumit të këtij fshati nuk është rritur dhe nuk ka ndonjë rrezik për përmbytje, por banorët apelojnë që të kihet më shumë kujdes, sepse ditëve në vijim pritet shkrirje e dëborës në viset malore me çka mund të ketë situata të jashtëzakonshme si në vitet e kaluara.