https://youtu.be/b7vcJUNp8wQ

Duhej të ishte vetëm qendër transferuese, në të cilën mbeturinat nuk do qëndronin as 24 orë, por në këtë lokacion, janë deponuar afro 900 tonelata bërllok. Këtë pamje do e shihni në hyrje të fshatit Dëbërc të Komunës së Zhelinës. Banorët e këtij vendi, po ankohen se u prenë në besë. Krejt kjo pasi më s’po shërben kjo zonë si transit, por u bë deponi në vete. Përveç se zonën e ka zënë bërlloku, më e keqja është se fshatarët po druajnë për të mbjellat.

“Keq osht, keq keq keq, kemi tokë aty shumë keq është. Vjen era e keqe nuk mund të punojmë, tepër keq është. Kemi shumë probleme këtu në fshat”.

“Duhet të hiqen ato mbeturina. Në mes të fushës po rrinë aty, është bërë një gabim i madh. Mirëpo nuk i intereson askujt.”

“E kam një arë aty lart, ata menjëherë aty poshtë hedhin mbeturina. Gabimin më të madh e bëjnë ata që mbledhin mbeturina”, shprehen banorët e fshatit.

Kompania që po menaxhon me mbeturinat në Komunën e Zhelinës thotë se është në dijeni për ankesat e banorëve.

Përgjegjësit sqarojnë se shkaku i grumbullimit të kaq shumë bërllokut në Dëbërc, është mbyllja e deponisë rajonale të Rusinos, shkaku i protestave dhe rrugëve të bllokuara.

Vendi ku po grumbullohen mbeturinat në Dëbërc është tokë e tyre, dhe thonë se për këtë lokacion janë pajtuar me kryetarin e Komunës së Zhelinës.

“Ata kanë të drejtë bre, kanë të drejtë banorët që të ankohen. Kjo arë është e imja, edhe kjo nuk është për të mbajtur kaq mbeturina, një turrë dy ose tre mundet për zor, tjerat duhet të ecin.Ne vetëm se kemi filluar, gati se një muaj shkon për tu pastruar e gjitha.“, thotë Milaim Shabani, përgjegjës i kompanisë.

Nga Komuna e Zhelinës thonë se lokacioni është i përshtatshëm, ndërsa nuk e arsyetojnë grumbullimin e mbeturinave, duke cekur edhe njëherë statusin e kësaj hapësire.

“Mendoj se lokacioni është i përshtatshëm sepse është jashtë vendbanimeve. Thash edhe më parë se kjo është një qendër transferuese, brenda 24 orëve duhet të qarkullojnë dhe të largohen”, thotë Shefije Saiti, sekretare i Komunës së Zhelinës.

Përgjegjësi i Kompanisë këmbëngul se brenda 1 muaji mbeturinat do të transferohen në deponinë rajonale “Rusino” dhe se ky vend, do marr statusin e vërtetë të pikës transferuese të mbeturinave.

I kontaktuar në telefon, kryetari i Zhelinës Fatmir Izairi tha se problemi i deponisë në Dëbërc, është kronik, dhe se autoritetet ende po kërkojnë një zgjidhje afatgjate.