Liga Profesioniste e Futbollit vijon me bojkotin e këtij sporti deri në plotësimin e 4 kërkesave nga qeveria, teksa hapi i radhës është sërish zbritja në fushë dhe leximi i mesazhit drejtuar kryeministrit Rama.

Ashtu si një javë më parë edhe dje në “Loni Papuçiu” të Fierit, futbollistët e Apolonisë e Kastriotit zbritën në fushë, kapitenët lexuan deklaratën dhe më pas skuadrat u rikthyen në dhomat e zhveshjes.

I njëjti ritual pritet të zbatohet edhe sot në sfidat Teuta-Kukësi, Vllaznia-Tirana, Bylis-Skënderbeu dhe Partizani-Laçi, ku kapitenët do të lexojnë deklaratën e bojkotit dhe më pas skuadrat do të kthehen në dhomat e zhveshjes.

Gjatë kësaj jave pati një takim mes Ligës Profesioniste dhe deputetit Fidel Ylli, i cili është i ngarkuari i kryeministrit për dialog dhe duket se palët janë afruar disi mes tyre, por nuk ka ende “tym të bardhë”.