Viti 2017 do të mbahet mend gjatë për sa i përket skandaleve, të cilat dëmtuan shumë imazhin e futbollit kosovar.

Skandali më i madh në futbollin e Kosovës, plasi më 4 prill, kur publiku pati rastin të shohë një video, ku vëreheshin duke biseduar rreth kurdisjes së ndeshjeve, trajneri atëkohë i Dritës, Ismet Munishi, gjyqtari Bajram Gashi e gjyqtari anësor Edmond Zeqiri dhe kontrollori i FFK-së Ali Ajeti, në prani të të cilit tregoheshin pazaret.

Gjyqtari Gashi tregonte se si e kishte ndihmuar Dritën që të mposhtë Prishtinën. Kjo video i kushtoi Gashit me një dënim prej 1 viti nga Komisioni Disiplinor i FFK-së, dënim që u zbut në gjashtë muaj.

Skandali tjetër ishte se Gashi u rikthye të gjykojë vetëm pak ditë pasi i skadoi dënimi, me vendim të Komisionit të Gjyqtarëve pranë FFK-së.Keq e pësoi edhe Ismet Munishi, i cili u largua nga Drita, klub që u distancua nga video-incizimi dhe e ndërpreu bashkëpunimin me Munishin. Përveç largimit nga klubi gjilanas, Munishi u suspendua për 6 muaj nga Komisioni Disiplinor, dënim që u zbut në 3 muaj dhe kështu Munishi u bë menjëherë trajner i Vëllaznimit të Gjakovës.

Me nga 6 muaj u dënuan edhe gjyqtari Edmond Zeqiri dhe Ali Ajeti, por që të dy u rikthyen pas 3 muajve, pasi dënimet u zbutën nga Komisioni i Ankesave, i njohur si shkalla e dytë, komision që u tregua i mëshirshëm për shkelësit e rregullave dhe prishësit e imazhit të futbollit kosovar.Për kurdisje u akuzua edhe Besa e Pejës në duel me Trepçën, në kuadër të kampionatit pranveror të sezonit 2016/2017. Pejanët humbën në shtëpi 3:1 me 2 prill 2017, disfatë që i habiti të gjithë me mënyrën se si i pranuan golat.

Me këtë rast, u mor Komisioni Disiplinor i FFK-së i cili i suspendoi 3 lojtarë të Besës, Arben Beqirin, Fatmir Rexhën dhe Vildan Guticin, por në mungesë të provave të tre shpëtuan pa u dënuar.

Me rastin e njëjtë u mor edhe Prokuroria në Pejë, e cila sikurse FFK-ja në mungesë të provave, nuk arriti të ngritë aktakuzë.Skandali i tretë ishte dhuna në ndeshjen, Flamurtari – Vëllaznimi, takim që u ndërpre për shkak të dhunës së shfaqur në fund të ndeshjes nga tifozët vendas në drejtim të futbollistëve.Një tifoz i vendasve hyri në fushë dhe sulmoi futbollistët gjakovarë në momentin që portieri Altik Muhaxhiri barazoi rezultatin në 1:1.

Më pas, hynë edhe shumë tifozë dhe situata doli jashtë kontrollit, por për fat të mirë gjithçka përfundoi me Vëllaznimin që mori 3 pikë në tavolinë, kurse Flamurtari u dënuan me katër ndeshje jashtë kryeqytetit, por i luajti vetëm tri pasi një iu fal nga Komisioni i Shkallës së Dytë i FFK-së.