Partia më e madhe opozitare maqedonase VMRO-DPMNE ka dalur kundër emërtimit të rrugës së Çairit me emrin e atdhetarit “Adem Demaçi”.

Sipas kësaj partie, Këshilli i Qytetit të Shkupit para dy viteve pa asnjë debat, pa konsultim me qytetarët, në mënyrë të dhunshme emërtuan pothuajse 500 rrugë dhe ura dhe objekte të tjera në kryeqytet, përcjell INA.

“A e dinë të paaftët nga qeveria e LSDM-së se kryeqytet i kujt është Shkupi, Maqedonia apo ndonjë shtet tjetër? Dje në Shkup, pa asnjë simbol maqedonas dhe me pompozitet të madh dhe në prani të një kryeministri të një shteti tjetër, rruga Brigada e Dytë Sulmuese Maqedonase u emërtua me emrin e luftëtarit kosovar Adem Demaçi.

Rruga mban emrin e Demaçit, i cili nuk ka pika kontakti as me historinë e Maqedonisë dhe as me Shkupin, por kishte ideale nacionaliste të lidhura me vende të tjera. Prandaj pyesim nëse këshilltarët e LSDM-së e dinin se për çfarë votonin në vitin 2021 në Këshill?“, reagoi partia maqedonase. (INA)