Liljana Kuzmanovska e VMRO-DPMNE-së e akuzon pushtetin se nuk punon asgjë për nevojat e qytetarëve, se nuk ka zhvillim.

“Qeveria ndau vetëm katër milionë euro për investimet kapitale në muajin janar. Kjo është vetëm një për qind nga investimet e planifikuara kapitale”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së përmes një kumtese për media.

Investimet e realizuara kapitale në janar të vitit 2018 janë gjashtë herë më pak nga investimet kapitale të realizuara në janar të vitit 2017.

“Ato janë vetëm katër milionë euro për një muaj të tërë për ndërtimin e autostradave, rrugëve, hekurudhave, objekteve në arsim, shëndetësi dhe kulturë. Është turp që nga Buxheti më i vëllimshëm në historinë e Republikës së Maqedonisë prej 3.4 miliardë eurosh të ndahen vetëm katër milionë euro në muaj për investime kapitali”, thuhet në reagim.

Qytetarët, shtohet më tej, pyeten për çfarë shpenzohen paratë e Buxhetit?! – Opinioni pret përgjigje ku përfunduan 1.4 miliardë euro nga borxhet e këtij pushteti?

“Papërgjegjshmëria e pushtetit e rrezikon zhvillimin e vendit. Menaxhimi i papërgjegjshëm me parat e qytetarëve duhet të ndërpritet”, thuhet më tej në kumtesë.