Zgjidhet për shfrytëzim të gjuhës shqipe për të cilat LSDM dhe BDI kanë arritur pajtueshmëri janë identike me propozim-ligjin e VMRO-DPMNE-së për atë çështje, mëson Alsat M. Partia e Gruevskit demanton, por po thellohet në të pavërteta.

Ligji për gjuhën shqipe i arritur mes LSDM-së dhe BDI-së nuk është tradhti, sikurse po i shitet qytetarëve përmes kreut të VMRO-së Nikolla Gruevski. ALSAT mëson detajet e ligjit të shqipes nga VMRO-ja, i cili ofron jo pak përparime të shqipes në institucione, si gjatë udhëheqjes së procedurave gjyqësore, ashtu edhe deri në stemat e policisë të cilat tani VMRO-ja i mohon.

Jo vetëm kaq, por ALSAT zbulon edhe një të vërtetë tjetër, se pjesa më e madhe e ligjit të mëvonshëm të LSDM-BDI-së për përdorimin e shqipes në qeveri, kuvend, gjyqësor, polici, tabela kufitare etj, janë huazuar pikërisht nga ligji i VMRO-së.

“Ligji i shqipes së ofruar nga VMRO ofronte përdorimin e kësaj gjuhe në të gjitha seancat gjyqësore, edhe nëse qoftë njëri prej palëve, i akuzuari, paditësi, avokati apo gjykatësi do të ishin shqiptar në një proces gjyqësor. Të gjitha materialet do të ishin ofruar në dy gjuhë. Materiale në dy gjuhë do të ishin ofruar edhe në Qeveri e Kuvend, ku përveç të folurës do të ishin edhe në të shkruar. Të gjitha draftet ligjore apo vendimet në qeveri, do të ishin edhe në shqip, të shkruara, ndërkohë që gjithashtu, do të merrte fund praktika e mospërdorimit të shqipes edhe në seancat qeveritare. Gjuha shqipe, duke marrë në konsideratë formulimin nga amendamenti 5 i Kushtetutës, do të përdorej edhe në simbolet e uniformave blu. Emblema policore, në të gjitha rajonet ku shqiptarët përbëjnë mbi 20% të popullatës, do të ishin të shkruara në dy gjuhë! ALSAT mëson se në dy gjuhë do të ishin edhe tabelat e vendkalimeve kufitare, në të gjitha rajonet me shqiptarë ku bien këto pika kalimi. Kështu, përkrah shkrimit “Republika na Makedonija” do të shkruhet edhe në shqip, “Republika e Maqedonisë”, sikurse edhe emri i pikës së kalimit kufitar. Për sa i përket dokumenteve personale, edhe në këtë ligj, për shqiptarët pasaportat apo letërnjoftimet do të jepeshin automatikisht në gjuhën e tyre të përkatësisë, duke i dhënë fund praktikës së kërkesës paraprake që cdo qytetar shqiptar bënte për t’u pajisur me dokument identifikimi. Sipas draft-ligjit që ka zbuluar ALSAT, përmbajtja nuk është aspak larg kërkesës së shqiptarëve, e artikuluar në platformën e partive shqiptare. Vetëm dygjuhësia në kartëmonedha nuk ishte parashikuar, por ama, VMRO-ja kishte menduar gjithsesi që shqipja të përdorej edhe në çeqet bankare, kambialet apo edhe letrat me vlerë, në sferën e ekonomisë. Edhe në ligjin e shqipes me VMRO-në, gjoba ishte nga 4 000 deri në 5 000 euro në rast të kundërvajtjes nga personat juridik, ndërkohë që 30% e kësaj vlere do të paguhej nga titullar i institucionit, si përgjegjës. Edhe në këtë ligj të VMRO-së ishte parashikuar Qendra Shtetërore e Gjuhës, e cila do të shërbente si Inspektorat për mbikëqyrjen e përdorimit të shqipes nga institucionet e tjera. Madje, edhe pse aksioma e partisë së Ahmetit ishte barazi gjuhësore – pra zyrtarizim i shqipes me të gjitha atributet si maqedonishtja, eksponentë të BDI-së patën pranuar se ligji i ofruar nga VMRO ishte boll i mirë. E vetmja pengesë nga 5 përbetimet e BDI-së, ishte vetëm 1”, publikoi Alsat M.

Sipas BDI-së, marrëveshje nuk është arritur me VMRO-DPMNE-në për çështjen e Shtetit të së Drejtës, në të cilën bëjnë pjesë Raporti i Priebes si dhe Prokuroria Speciale.

Gruevski e demanton VMRO-DPMNE-në

Pas zbardhjes së propozim ligjit të VMRO-DPMNE-së për shfrytëzimin e gjuhës shqipe, partia e Gruevskit mbrëmë doli me demant, duke thënë se “asnjë manipulim dhe tekste të porositura nga Zoran Zaev nuk do ta lajnë shitjen e interesave shtetërore dhe nacionale”, transmeton Portalb.

“VMRO-DPMNE nuk arriti kurrfarë marrëveshje me BDI-në rreth çështjeve të cilat kanë qenë lëndë e iskutimit. Çështja rreth Raportit të Pribesë dhe vazhdimit të mandatit të Prokurorisë Speciale aspak nuk kanë qenë temë diskutimi”, reaguan nga VMRO-DPMNE-ja.

Megjithatë, mu lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, përpara dy javëve në një intervistë për “TV Nova”, tha se “kanë diskutuar për ato çështje, ndërkaq për PSP-në janë përkushtuar një ditë”, transmeton DW.

“PSP u përfol që në fillim të bisedimeve dhe u tregua se ata duan ta vazhdojnë mandatin, ndërkaq nga pala jonë thamë se nuk duam, dhe ajo u argumentua. Personalisht jam i sigurt dhe mendimi i BDI-së është i ofruar nga faktor tjetër. Por, ata thanë se është mirë që të vazhdohet puna e PSP-së. Për PSP-në kemi diskutuar vetëm një ditë nga të gjithë ditët e bisedimeve”, deklaroi Gruevski, me çka bien poshtë deklaratat e partisë se “ajo aspak nuk ka qenë lëndë diskutimi”. /Portalb