Edhe pas miratimit të Ligjit për Regjistrim të Popullsisë, VMRO-DPMNE përsëri kundërshton Qeverinë për procesin e regjistrimit. Ata shprehen se ky proces duhet të bëhet, por me standarde të larta të Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian, dhe jo sipas metodologjisë së vjetër. Timço Mucunski, deputet nga VMRO-DPMNE theksoi se ky regjistrim është i politizuar dhe se si parti do të përpiqen fort për të parandaluar regjistrimin.

Timço Mucunski, deputet nga radhët VMRO-DPMNE

“Ky regjistrim është jashtëzakonisht i politizuar dhe është vetëm një nga konkluzionet që çojnë në të, për të cilën thonë se është një operacion statistikor jo një operacion politik. Pra, pa dyshim që kemi politizimin përfundimtar të procesit. Në këto momente të para, është detyrimi ynë të përpiqemi të përdorim të gjithë mekanizmat institucionalë për të parandaluar këtë regjistrim. Kur të përdoren të gjithë mekanizmat institucionalë, atëherë partia duhet të diskutojë hapat e ardhshëm që duhet të ndërmerren për të parandaluar një operacion të tillë politik, jo një statistikor”

VMRO-DPMNE e kundërshton edhe presidentin Stevo Pendarovski, se ai duhet të konsultohet me ekpertë pastaj të deklarohet për qëndrimet.

Timço Mucunski, deputet nga radhët VMRO-DPMNE

“Presidenti Pendarovski duhet para së gjithash të konsultohet me ekspertë të kësaj fushe. Nëse ai konsultohet me ekspertë realë dhe objektivë për këtë çështje, besoj se ata do ta tregojnë se ky ligj nuk është mënyra e duhur për të kryer një regjistrim”

Rikujtojmë që Ligji për Regjistrim të Popullisë u votua në Kuvend më 62 vota për, nga partitë në pushtet dhe koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, ndërsa deputetët e VMRO-së e lëshuan sallën.