Shqiptarët e Maqedonisë janë të gatshëm të dielën “të pushtojnë” vendvotimet dhe t’i japin vulë ardhmërisë euroatlantike të Maqedonisë. E vetmja dilemë që mundon një pjesë të trupit votues, është mos ndoshta vota “për” referendumin shkon në favor të politikës së BDI-së dhe Ali Ahmetit. Është një dilemë deri diku e kuptueshme, por plotësisht e panevojshme.
BDI bëri një fushatë të bujshme “pro” referendumit dhe me këtë shkaktoi huti te një pjesë e votuesve shqiptarë, duke krijuar bindjen se me të vërtetë është e interesuar referendumit të jetë i suksesshëm. Ky ishte vetëm truk i kësaj partie. Nga frika që të dalë publikisht kundër referendumit, kjo parti shkoi në ekstremin tjetër- përkrahu fuqimisht atë. Kjo strategji kishte për qëllim që të bindë rreth 200 mijë votuesit shqiptarë që janë kundër BDI-së, të mendojnë se duke votuar në referendum, votojnë për BDI-në. Nëse jo të gjithë, së paku një pjesë prej tyre.

Shqiptarët nuk duhet të bien në kësi lloj gracka. Sepse me suksesin e referendumit, bien në ujë të gjitha përpjekjet e VMRO-së dhe BDI-së për të siguruar amnisti për Gruevskin. Dhe nuk ka dyshim se nëse shkon Gruevski, do t’i marë me veti edhe këta të BDI-së, duke filluar nga Ali Ahmeti. Çka është më e rëndësishme, me suksesin e referendumit shkon në pension një gjeneratë e politikanëve që mbijetuan në skenën politike me gënjeshtra, me intriga dhe me skenare, ku dorën në zemër viktima kryesore ishin shqiptarët.

Nga ana tjetër, nëse dështon referendumi rriten gjasat që Gruevski dhe klika e tij të mos dënohen për dëmin e bërë 10 vite me radhë. Jo vetëm kaq, por Gruevski, ose stili i tij i qeverisjes me BDI-në në kurriz të shqiptarëve, mund të rikthehet në pushtet. Kjo nuk guxon të ndodhë, së paku shqiptarët nuk duhet të lejojnë. Sepse kjo nuk dëmton askënd më tepër se shqiptarët./GazetaLajm/