Si pasojë e plagëve të marra nga gjuajtjet me armë zjarri në plazhin e Strugës, ka humbur jetën Dilaver Bojku. Sulmi ndaj tij, në lokalin ku ai ka qenë pronar, është kryer rreth orës 16:45 minuta, në Plazhin Akua Bluskaj, në qendër të Strugës.

Bojku është dërguar në spitalin e Strugës, megjithatë nuk ka arritur që t’u mbijetojë plagëve të marra, pas çka ka humbur jetën në spital.

Televizioni Shenja kontaktoi policinë, nga ku nuk japin detaje rreth ngjarjes. Ata informojnë vetëm se është duke u formuar një ekip hetues, që do të punojë në drejtimet që do t’i marrin nga prokurori i angazhuar për këtë hetim.

Para 15 viteve, Bojku mori nofkën “Bos prostitucioni i Ballkanit”, pas një hetimi kundër tij për akuzat për trafikimin e femrave me qëllim prostitucioni. Në vitin 2003, pas dy jave arratije u arrestua në Mal të Zi.

Zëdhënësja e policisë së Maqedonisë, atë kohë, Mirjana Koteska pati deklaruar se Bojku ishte arrestuar në Ulqin derisa përgatitej të arratiset në Brazil. Pas arrestimit, Bojku me helikopter e pranga në duar është transferuar në burgun e Shkupit si i dyshuar për krim të organizuar.

Pas përfundimit të dënimit, Bojku kyçet në biznes legal në sferën e turizmit dhe hotelierisë. Tashmë disa vite ishte pronar i lokalit Akua Bluskaj në Strugë, vendi ku ndodhi incidenti i sotëm, fatal për pronarin Dilaver Bojku-Leka.