Maqedonia do të marrë të paktën 8000 vaksina të Pfizer nga Serbia njoftoi kryeministri, Zoran Zaev. Ai tha se këtë mëngjes ka biseduar me telefon me presidentin e Serbisë , Aleksandër Vuçiq i cili i ka ofruar ndihmë me qëllim që edhe te ne të fillojë procesi i vaksinimit kundër Kovid-19.

“Dua ta ndaj këtë lajmë të lumtur, e pranuam ndihmën që na e ofroi presidenti i Republikës së Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Sot bisedova me të, ata pranuam që të na ndihmojnë, ndërsa detajet do t’i caktojmë gjatë ditës. Atë që e konfirmuan është se bëhet fjalë për 8000 vaksina Pfizer ndërsa për të tjerat duhet të shohin në marrëveshjet nëse guxojnë të dhurojnë edhe prej tyre. Me pranimin e kërkesave tona, Vuçiq ofroi ndihmë me vaksinat duke thënë se do që t’i dhurojë, por ne jemi shtet dhe kemi para dhe do t’i paguajmë, pastaj tha se do të na japë me çmimin e blerjes, përkatësisht me çmimin që e ka paguar Serbia për blerjen e vaksinave”, deklaroi Zoran Zaev – Kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

Serbia e filloi vaksinimin më 24 dhjetor me vaksinat Pfizer-BioNTech, ndërsa për vaksinim shfrytëzojnë edhe vaksinat ruse Sputnik. Gjatë ditës së sotme Serbia duhet të marrë 19.500 doza të vaksinës Pfizer ndërsa nesër edhe 250 000 nga vaksinat Sputnik. Të shtunën në Serbi arritën një milionë doza të vaksinës kineze.

Maqedonia para shumë kohe ka dakorduar blerjen e vaksinave përmes sistemit KOVAKS. Megjithatë nuk dihet kur dhe sa doza do të arrijnë. Paralajmërimet janë se kjo do të ndodh në fillim të muajit shkurt. Përveç përmes sistemit KOVAKS dhe Pfizer, vaksina priten edhe nga sistemi i “solidaritetit”. E para premtoi Bullgaria se do të jap sasi të caktuar, por ata vaksina ende nuk janë askund. Dhe përderisa ne po presim, Shqipëria para një jave filloi me vaksinim. Kryeministri shqiptar Edi Rama në intervistë për Top Channel u lëvdua duke thënë se Shqipëria është shteti i dytë në rajon që ka filluar imunizimin si dhe pyeti se ku janë vaksinat që ia ka premtuar Bullgaria Maqedonisë.

“Shqipëria është vendi i dytë në rajon që fillon vaksinimin. Edhe Maqedonia… Si Maqedonia? Maqedonia fillon në shkurt. Ka marrë nga Bullgaria një sasi vaksinash. Ku i ka? Ku i ka? I ka siguruar për t’i bërë. Ku i ka? Më thua ka filluar Maqedonia, nuk ka filluar për fat të keq, duhej të kishte filluar por nuk ka filluar dhe nuk është faji i Maqedonisë, më thua ia ka dhënë Bullgaria, ia ka thënë me fjalë me fjalë do të japë 100 copë, po nuk ia ka dhënë akoma, se po t’ia kishte dhënë do t’i kishin përdorur”, theksoi Edi Rama – Kryeministër i Shqipërisë.

Në lidhje me këtë deklaratë, Filipçe tha se janë në kontakt të vazhdueshëm me Bullgarinë dhe se fqinji jonë lindor do të ndajë vaksina sipas mundësive. Tashmë janë porositur 800 mijë doza për 400 mijë qytetarë, ndërsa sipas paralajmërimeve Maqedonia planifikon të vaksinojë 1.2 milion qytetarë.