Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, siç transmetojnë mediat serbe, ka thënë sot në Stamboll se pa pjesëmarrjen e Serbisë nuk mund të zgjidhet çështja e Kosovës, dhe asnjë problem tjetër që ka të bëjë me Serbinë.

I pyetur nga gazetarët, nëse ka njohuri se liderët e katër vendeve të mëdha SHBA-së, Gjermanisë, Francës dhe Rusisë, gjatë kremtes së Ditës së Fitores në Paris, do të mund të bisedojnë për çështjen e Kosovës, Vuçiq ka thënë se nuk di asgjë lidhur me atë nëse fuqitë e mëdha në Paris do të merren me çështjen e Kosovës, përcjell Telegrafi.

“Mendoj se është duke u menduar se si të ne të bisedojmë me Hashim Thaçin dhe në prezencën e kujt në Paris…, kurse nëse fuqitë e mëdha do të ulen dhe ta zgjidhin këtë çështje…, as kjo nuk shkon ashtu dhe nuk është e mundur. Pa pjesëmarrjen e Serbisë nuk mund të zgjidhet asnjë problemin. Secili mund të ndihmojë, disa të pengojnë, por pa pjesëmarrjen dhe vullnetin e Serbisë nuk mund të bëhet asgjë”, ka thënë Vuçiq.

Ai ka thënë se është e pamundur të komentojë të gjitha spekulimet që paraqiten në media.