Pushteti i Serbisë, përkatësisht presidenti i këtij vendi fqinj, Aleksandër Vuçiq, përfshihet direkt në manipulimin e votave të serbëve në Republikën e Kosovës.

 

Historia në vazhdim dëshmon përfshirjen e shtetit fqinj në tentimin serioz për ta manipuluar procesin zgjedhor në Kosovë.

Ndërhyrja e Beogradit zyrtar në zgjedhjet e Kosovës, duke kërcënuar e shantazhuar partitë e tjera rivale të Listës Serbe, është raportuar nga RTK gjatë ditëve të fundit.

RTK sot ka arritur që ta dëshmojë se ndërhyrja lidhet direkte me presidentin e tashëm të Serbisë, Aleksandar Vuçiqin, i cili jo më larg se dje ngriti “zërin” për reagimin e vendeve të QUINT-it në Kosovë lidhur me kërcënimet që po u bëhen serbëve nga Beogradi zyrtar:

Këtë Vuçiqi e tha pas incidentit në Leposaviq, me rastin e arrestimit të Aleksandar Jabllanoviqit, e me theks te lirimi i tij “kinse me vendim politik të autoriteteve kosovare”.

RTK ka arritur të sigurojë një material me zë, ku flet njëri nga njerëzit e përfshirë në zgjedhjet e Kosovës, i cili dëshmon se është pikërisht Vuçiqi ai i cili në radhë të parë është duke ndërhyrë direkt në proceset zgjedhore, me ndihmën e BIA-s dhe grupeve kriminale të veriut.

RTK e njeh personin në fjalë dhe autenticiteti i këtij materiali është i verifikuar nga organet përkatëse në Kosovë. Gjatë tërë fushatës zgjedhore është vërejtur një tensionim shumë i madh mes partive politike serbe të Kosovës. Madje ka pasur edhe konfrontime fizike në veri ku pjesëtar të listës serbe e kanë sulmuar në mënyra të ndryshme Aleksander Jabllanoviqin.

Situata mjaft të tensionuara ka pasur edhe në Graçanicë mes listës serbe e cila kontrollohet direkt nga Beogradi Zyrtar dhe Partisë Liberale Serbe të Sllobodan Petroviqit.

Madje, sipas informacioneve, shume përkrahës te Sllobodan Petroviqit janë larguar nga puna vetëm pse e përkrahin Partine Liberale Serbe.