Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi pret dhe është i bindur se opozita do të inkuadrohet në punën e trupave parlamentar dhe seancat nga 9 janari i vitit të ardhshëm, për kur do të caktohet vazhdim i seancës për ligjin për gjuhë dhe zgjedhje të gjykatësve kushtetues. Xhaferi në takimin e sotëm me gazetarët tha se në vitin 2018 Maqedonisë nuk i nevojiten zgjedhje të reja. Sipas Xhaferit, kriza politike në Maqedoni përfundoi para gjashtë muajve.

“Pritjet janë se duhet të zgjidhen të gjitha mosmarrëveshjet brenda në partitë politike dhe ditët e para të punës në vitin e ri, nga 9 janari e tutje, Kuvendi të jetë në përbërje të plotë, me pjesëmarrje të opozitës dhe të gjithë partive politike, duke i pasur parasysh edhe deklaratat e tyre paraprake se do të jenë të pranishëm.

Dhe posaçërisht për ligjet reformuese, në kontekst të pritjeve nga Raporti i KEsë dhe progresin e Republikës së Maqedonisë”, deklaroi parlamentari i parë. Xhaferi pret që viti 2018 të jetë me rrjedhë të rregullt të punës. “Këtë edhe e dëshiroj dhe e pres nga partitë politike”, tha Xhaferi. Është përgatitur draft version i Rregullores për punën e Kuvendit që së bashku me Kodeksin etik duhet të shqyrtohen në kuadër të procesit “Zhan Mone”, takim i përfaqësuesve të grupeve të deputetëve i cili, sipas Xhaferit pritet të ndodhë në rrethinën e Parisit më 25 dhe 26 janar. /Fol/