Në Qarkun e Korçës, Bashkia Pustec me shumicë të komunitetit maqedonas në Shqipëri, për të dytën herë brenda një jave u vizitua nga zyrtarë të lartë të Maqedonisë. Kreu i Kuvendit Talat Xhaferi, gjatë vizitës në bashkinë e Pustecit deklaroi se pas seancës së përbashkët të dy qeverive, dy parlamentet duhet të shtojnë presionet që marrëveshjet e nënshkruara të marrin formën formalo-juridike. Nga komuna me shumicë maqedonase në Shqipëri, ai përshëndeti miratimin e ligjit për pakicat në Shqipëri.

Bashkëpartiaku i kryebashkiakut Edmond Temellkos, përkatësisht nënkryetari i Aleances Maqedonase nga Xhaferi kërkoi sqarime për negociatat rreth zgjidhjes së çështjes së emrit. Ai shtoi se komuniteti maqedonas në Shqipëri kundërshton referendumin e paralajmëruar për emrin duke thënë se askush nuk është kompentent për të vendosur për identitetin e të parëve. Xhaferi sqaroi se negociatat nuk bëhen për identitetin por për tejkalimin e dallimeve mes Maqedonisë dhe Greqisë. Kreu i Kuvendit, në Pustec u prit nga zv.kryetari i Bashkisë Andon Jani, person i autorizuar nga kryebashkiaku Edmond Temellko për të drejtuar Komunën. Jani për Alsat deklaroi se në këtë aspekt, nuk has në pengesa juridike apo administrative.

Jani është autorizuar nga Temellko muaj më parë, që para se të arrestohej në Manastir, si i dyshuar i Prokurorisë Speciale për keqpërdorime zgjedhore në Maqedoni, në lëndën “Titanik” ku të dyshuar janë edhe ish funksionarë të lartë shtetëror.

Nga rreth 5 200 banorë të Bashkisë së Pustecit, besohet se rreth 3 mijë prej tyre kanë nënshtetësi të Maqedonisë dhe kanë të drejtë vote në Maqedoni. Ky informacion fillimisht mori jehonë në zgjedhjet lokale të vitit 2013 kurse shumica e tyre besohet se kanë votuar në Komunën Qendër ose në Komunën e Kërçovës. Vetë banorët më herët për kamerën e televizonit Alsat kishin pranuar se në ditën e zgjedhjeve janë transportuar në grupe për të votuar në Maqedoni. Megjithatë, çështja e Themellkos nuk është hapur aspak gjatë vizitave të funksionarëve të lartë të vendeve në këtë Bashki.

Të premten e kaluar, Pusteci u vizitua edhe nga dy kryeministrat Zoran Zaev dhe Edi Rama./alsat