Sonte në emisionin “Komiteti” – i drejtuar nga Berat Buzhala – prodhim i Gazetës Express për RTV Dukagjini, analisti dhe politologu nga Maqedonia, Xhemal Ahmeti, ka folur për partitë politike shqiptare në Maqedoni, pak ditë para zgjedhjeve qendrore në këtë shtet.

Ahmeti ka thënë se Menduh Thaçi është njeriu më i dyshimtë në politikën shqiptare në Maqedoni.

Ai ka treguar se Thaçi ka bashkëpunim me Shërbimin Sekret të Maqedonisë, ashtu siç ka pasur më herët ish-kryetari i PDSH’së, Arbër Xhaferi.

Sipas politologut, dallimi në mes Thaçit e Xhaferit është se ky i fundit kishte qenë shumë më i zgjuar dhe marrëdhëniet e tij me shërbimin sekret maqedonas kanë qenë reciproke.

Ndërsa, sipas Ahmetit, Thaçi kryen shërbim të njëanshëm ndaj shërbimit sekret të Maqedonisë.

Politologu ka shtuar se emri i Thaçit ka qenë gjithmonë në listën e politikanëve ballkanas për punë ilegale, prandaj sipas tij, kreu i PDSH’së është i korruptuar dhe këtë e tregon edhe pasuria e tij.

Megjithatë, Ahmeti në “Komiteti” ka thënë se në PDSH ka intelektualë dhe njerëz të përgatitur politikisht, të cilët nuk i kupton pse vazhdojnë të qëndrojnë krah Thaçit. /Express/