“Është i nevojshëm angazhim më i madh dhe ndërmjetësim në këtë situatë mjaft  dinamike dhe shpërthyese në Maqedoni. Në interes të akujt nuk është që të shpërbëhet Maqedonia. Kështu ka thënë senatori republikan Xhon Mekejn në një intervistë për redaksinë serbe të Zërit të Amerikës, përcjell SHENJA.

“Jam i shqetësuar për Maqedoninë. Nuk parashikoj konflikt apo luftë, por them se tensioni është i lartë dhe situata po del prej kontrolle, dhe kërkon më tepër angazhim të SHBA-së por edhe të BE-së”, ka thënë senatori amerikan Mekejn.

I pyetur se cili duhet të jetë roli i SHBA-së në Ballkan, Mekejn thotë se është i nevojshëm angazhim më i madh me qëllim që Uashingtoni të vërtetoj përkrahjen për rajonin.

Duke komentuar situatën në Ballkan, senatori Mekejn vlerëson se pas përparimit të madh pas konfliktit në vitin 1990, tani përsëri rriten tensionet dhe pasiguria në rajon, ndërsa shembull për këtë, ka thënë ai, është kriza në Maqedoni.

“Besoj se kjo është rezultat i mungesës së lidershpit evropian dhe amerikan. Kemi marrë pjesë në zgjidhjen e konfliktit të atjeshëm, kishte shumë jetë të humbura, por në vitet e fundit si duket kemi braktisur rajonin. Kjo është një shembull se prezenca e SHBA-së është më se e nevojshme”, ka thënë senatori dhe ish kandidati për kryetar të SHBA-së, Xhon Mekejn.