Si qeveri dhe si politikanë e respektojmë karakterin sekular dhe nuk dëshirojmë të përzihemi në punën dhe bashkëpunimin e dy kishave, por i inkurajojmë të gjendet zgjidhje në frymën e fqinjësisë së mirë dhe miqësisë, porositën kryeministri i Maqedonisë dhe ai i Bullgarisë, Zoran Zaev dhe Bojko Borisov sot nga Strumica, përcjell Fol.

Lidhur me letrën që Kisha Оrtodokse e Maqedonisë – Arqipeshkopia e Ohrit e dërgoi deri te Kisha ortodokse bullgare, kryeministri Zaev tha se bëhet fjalë për çështje mes dy kishave, por se mund t’i inkurajojnë të gjejnë zgjidhje.

“Unë shpresoj se do të vijë deri te njohja e ndërsjellë, pasi për ne si kishë ortodokse maqedonase – Arqipeshkopia e Ohrit, autoqefalia është shumë e rëndësishme. Çështja është mes dy kishave. E jona është t’i inkurarojmë të gjendet zgjidhje në frymën e Marrëveshjes për fqinjës të mirë dhe miqësi mes dy vendeve”, tha Zaev, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve.

Edhe kryeministri bullgar Borisov tha se nuk dëshirojnë të përzihen në punën e kishave, por se do të jenë të lumtur që dy kishat të bashkëpunojnë, siç bashkëpunojnë të dy shtetet në planin politik.

“Nuk përzihemi në punën e kishës. Me të vërtetë do të jemi të lumtur nëse kishat tona punojnë dhe në mënyrë të ndërsjellë ndihmohen mes vete, siç atë e bëjmë ne në planin politik”, tha Borisov. /Fol/