Edhe krahas përpjekjeve të kryeministrit Zaev përmes takimeve të liderëve dhe negociatave me VMRO-DPMNE-në dhe me opozitën shqiptare, të zhbllokohet Kuvendi, duket se këto marrëveshjet nuk respektohen. Kryeministri Zaev thotë se gjatë negociatave ka bërë lëshime serioze dhe andaj procedurat në Kuvend duhet të vazhdojnë pa asnjë bllokadë. Lirojini proceset për të funksionuar sistemi, u porositi Zaev.

“Bëra lëshime serioze për shkak se duhet të kemi mirëkuptim për opozitën, pa marrë parasysh nëse është VMRO-DPMNE-ja, Aleanca për shqiptarët ose Alternativa, lëshimet kanë të bëjnë me punë të qarta dhe të rëndësishme. Çdokush ta bëjë punën e vet, mund të votojmë PRO, mund të jemi edhe kundër, mund të jemi edhe të përmbajtur, por nuk ka sqarim e as arsyetim për bllokadën. Besoj se këto ditë do të shfrytëzohen për komunikime të ndërsjella mes grupeve të deputetëve për ta zgjidhur kjo gjë”, deklaroi Zaevi.

Dje kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi u ankua se opozita e bllokon kuvendin dhe se 28 ligje ende janë të ngecur, që do të thotë se takimet e liderëve nuk kanë dhënë rezultat.

“Kuorum prej minimum 61 deputetëve nuk mund të interpretohet se është obligim i vetëm 61 deputetëve të shumicës. Parlamenti vendos nëse ka shumicë pa marrë parasysh nëse është opozita apo pushtet. Pra, të drejtat dhe obligimet e deputetëve janë të njëjta”, tha Xhaferi.

Kryeministri Zaev negocioi me ASH-në dhe Alternativën rreth Ligjit për shtetësinë ndërsa këta të fundit t’i tërheqin amendamentet me të cilat janë bllokuar 21 propozim ligje. Edhe pse arritën zgjidhje të caktuara, opozita shqiptare nuk i tërhoqi amendamentet, ndërsa dorëzoi propozim- ligj për shtetësi, gjë që nuk ka qenë pjesë e marrëveshjes.

“Ne e morëm propozim – vendimin, por nuk është i tillë siç u dakorduam paraprakisht, me të gjitha gjasat, konkluzioni i partnerëve në këtë bisedë, Aleanca për shqiptarët dhe Alternativa është se për draft versionin përfundimtar duhet të ulen të paktën ministri i brendshëm dhe zëvendësi dhe unë si kryetar i Qeverisë. Shohim se ka opsione për të cilat duhet të vendosim, besoj se këtu do të arrijmë marrëveshje për shkak se arritëm marrëveshje verbale”, u shpreh më tej Zaevi.

Në takimin e fundit të liderëve mes Zaevit, Selës dhe Gashit u arrit marrëveshje për Ligjin për shtetësi, por asnjëri prej tyre nuk dha detaje për zgjidhjen me kompromis derisa siç thanë, i njëjti nuk vendoset në letër.