Kryetari i Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë (LSDM), Zoran Zaev i shoqëruar nga nënkryetarja e partisë, Radmilla Shekerinska dhe sekretari i Përgjithshëm i partisë, Oliver Spasovski, ka takuar zv/ndihmës sekretarin e Departamentit Amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Hoyt Brian Yee, i cili ka qenë i shoqëruar nga ambasadori i SHBA-ve në vend, Jess Baily.

Siç thuhet në njoftimin nga kabineti i Zaevit, në takim është shprehur përkrahja për proceset demokratike në Maqedoni të cilat siç thuhet, pas zgjedhjeve të besueshme kanë vazhduar me zgjedhjen e kryeparlamentarit nga shumica parlamentare, ndërsa do të rezultojnë edhe me votimin e një qeverie të re.

“Kryetari i ri Parlamentit është zgjedhur në mënyrë ligjore dhe legjitime në përputhje me rregulloren, ligjet dhe kushtetutën. Vazhdojmë proceset me një maturi për çka në periudhën e ardhshme do të kemi formimin e një qeverie reformatore”, ka thënë Zaev në takim me diplomatin amerikan.

Ai njoftoi se Ivanov së shpejti do të marrë njoftimin nga kryetari i ri i Parlamentit se është formuar një shumicë demokratike parlamentare për çka kërkoi që Ivanov të veproj në përputhje me detyrimin kushtetues duke i dhënë Zaevit mandatin për të formuar një qeveri.

Kreu i LSDM-së tha se ka edhe një program qeveritar i cili garanton unitarizmin e shtetit dhe respektim të kushtetutës.

“Me këtë shteren kërkesat e paarsyeshme nga Ivanov, ku ai kushtëzon dhënien e mandatit. Shumica parlamentare ka një detyrim për të zbatuar vullnetin e shumicës prej 700.000 qytetarëve të cilët këtë e shprehën në zgjedhje, prandaj dhe ky detyrim do të përmbushet”, ka thënë Zaev.

Gjatë ditës së djeshme, Hoyt Yee realizoi takime me drejtuesit e partive shqiptare të përfaqësuara në Kuvend, ndërsa sot takoi presidentin Gjorge Ivanov, kryeparlamentarin Xhaferi, ndërsa pas takimit me Zaevin, atij i ka mbetur të takojë edhe drejtuesin e VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, ndërsa pritet të mbaj edhe një konferencë për mediat.