Kryetari i LSDM-së Zoran Zaev, sot në konferencë për shtyp ka folur në lidhje me mbajtjen e zgjedhjeve dhe situatën e krijuar pas përhapjes së coronavirusit.

Ai tha se data e zgjedhjeve është punë e kryer dhe se ato do të mbahen më 5 korrik, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Për shkak të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve, zgjedhjet janë zgjidhje, kurse data për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve tashmë është punë e kryer. Zgjedhjet do të mbahen më 5 korrik, në mënyrë që sa më shpejtë të kemi Kuvend funksional dhe qeveri politike”, tha mes tjerash Zaev.

Ai shtoi se zgjedhjet do të mbahen duke respektuar masat e mbrojtjes dhe rekomandimet e epidemiologëve.

Zaev foli edhe për numrin e rasteve të reja me Covid-19, me çka e akuzoi ministrin për Punë të Brendshme, Naqe Çulev, se ka lejuar mosrespektim të masave.

“Problemet që ka krijuar Naqe Çulev duhet t’i lëmë pas. Nuk ka argumente për masa të reja ekonomike, e me këtë as arsyetim për gjendje të re të jashtëzakonshme. Për këtë arsye zgjedhjet do të mbahen 22 ditë pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme”, ta Zaev.