“Jam i bindur se kandidatët për ministër të Financave dhe ministër për Përmirësim të Klimës Investuese do të jenë përforcim serioz i kapaciteteve qeveritare, veçmas në këtë periudhë të papërsëritur dhe të vlefshme për vendin i cili pret integrim në BE dhe NATO”, tha kryeministri Zoran Zaev, duke sqaruar përpara deputetëve se pse i ka propozuar për ministër të Financave, Nina Angellovskën dhe ministër pa resor, Hisen Xhemailin, njofton Portalb.mk.

Pas fjalimit të Zaevit për ministrat e rinj, deputeti i VMRO-DPMNE-së, Ilija DImovski ka kërkuar dorëheqje nga ai.

“Më mirë është në këtë moment për vendin, qytetarët, ekonominë, por edhe për LSDM-në që shpejtë të mbarojë kjo agoni politike. Koha është që të jepni dorëheqje dhe nuk është patjetër që atë ta ndërlidhni me përgjegjësinë tuaj politike ose morale”, tha Dimovski.

Ndaj kësaj, Zaev iu përgjigj se për dallim prej kohës së VMRO-DPMNE-së, kryeministri tani është paraqitës i rastit “Reket”, është e mundshme që Prokuroria të punojë në mënyrë të pavarur dhe transparente, pa pengesa, që t’i dëshmojë argumentet.

Sot do të votohen edhe zc/ministrat e Arsimit Elizabeta Naumovska, profesoreshë e fizikës dhe në postin e zv/ministrit të Ekonomisë Kire Kolemishevskin, i diplomuar në Universitetin e Shën Kirillit dhe Metodit në Fakultetin e Drejtësisë. Në këtë post vjen nga Banka Maqedonase për Mbështetjen e Zhvillimit. Ndër emrat e propozuar është edhe Nexhat Mehmedoviq si zv/ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive.

Sot deputetët duhet ta votojnë edhe zëvendësin e guvernatorit, Fadil Bajrami.