Koreja e Veriut ka trajnuar në fshehtësi forcat elite speciale për të rrëmbyer perëndimorët nga Koreja e Jugut dhe për t’i mbajtur peng ata në rast të ndonjë konflikti.

Nëse Shtetet e Bashkuara sulmojnë të ashtuquajturën Mbretëri Hermit, skuadrat e armatosura speciale, janë gati të kalojnë në Korenë e Jugut për të rrëmbyer diplomatët, turistët dhe biznesmenët e huaj, shkruan Daily Mail.

Lajmin e ka konfirmuar në një intervistë ekskluzive për Mail Online, Ung-gil Lee, i cili dezertoi në Korenë e Jugut pasi shërbeu për gjashtë vjet në një prej këtyre njësive klandestine.

“Ata do t’i vrasin të gjithë, të ndodhë ç’të ndodhë – kjo shkon dorë për dore me vrasjen”, tha Ung-gil Lee

Koreja e Veriut ka një histori të rrëmbimit të të huajve. Në vitin 1970, ylli i filmit i Koresë së Jugut Choi Eun-hee dhe drejtorja Shin Sang-ok u mbajtën si të burgosur kinse kanë bërë filma për regjimin brutal totalitar deri sa u arratisën shtatë vjet më vonë, përcjell Bota Sot.

Mail shkruan se tensionet po rriten mbi forcën bërthamore në rritje të Koresë së Veriut. Presidenti amerikan Donald Trump u zotua të “kujdeset” rreth çështjes së Koresë së Veriut, duke dërguar flotën detare më të fuqishme, që përbëhet nga një aeroplanmbajtëse dhe nëndetëse, në Gadishullin Korean.

Ndërsa, diktatori Korean Kim Jong-Un, u përgjigj duke paralajmëruar se ai është “i gatshëm për të reaguar në çdo mënyrë të luftës së dëshiruar nga SHBA”.