Zekirija Ibrahimi/

Dhëmb për dhëmb – himn për himn

Të enjten, më 27 prill 2017, si deputet i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, në replikën time ndaj një deputeti të VMRO-DPMNE-së, që e këndoi himnin e flamurit maqedonas, e këndova himnin e flamurit shqiptar. Derisa gjatë këndimit të himnit maqedonas deputetët shqiptarë qëndruan në këmbë, gjatë këndimit të himnit shqiptar deputetët maqedonas u ulën, ndërsa të gjithë ne, deputetët shqiptarë në sallë, e kënduam bashkërisht.
“Tradhti, provokim, naivitet, papjekuri, populizëm, folklorizëm, zhgënjim, patriotizëm, trimëri, heroizëm, guxim”, këto ishin kualifikimet e opinionit. Disa ishin edhe më ofendues dhe konspirativë, por mbase ato nuk meritojnë më shumë vëmendje. Siç e thashë në një shkrim tjetër: “Ra ky himn dhe u pamë”.
Që të zbardhet ky rast dhe të mos lihet mundësi që interpretimin e këtij veprimi ta bëjë secili që i ka lexuar dy-tri gjëra në Facebook (se tash “analist” nuk bëhesh duke lexuar libra, por duke lexuar statuse në FB), po e bëj këtu zbërthimin e këtij intonimi.

Konteksti

Në gjuhësi (por, edhe në komunikimin e përgjithshëm), përveç tekstit, për analizë është i patjetërsueshëm edhe konteksti. Për ata që janë më pak të informuar, në stilistikë shpjegohet se, fjala bie, humori shkaktohet nga ndërrimi i kontekstit. Sepse, një fjali e thënë në një kontekst, kur zhvendoset në një kontekst tjetër, mund të ketë krejtësisht mesazh tjetër. Fjala bie, një fjalë përkëdhelëse dashurie, respekti, por edhe shpotie, për një anëtar të familjes, ka kuptim krejt tjetër nga fjala e njëjtë e thënë, fjala vjen, në zyrë të punës, ku mund të kuptohet si tallje, ofendim, vardisje, fyerje etj.
Prandaj nëse himni i kënduar nga një deputet shqiptar në Kuvendin e R. së Maqedonisë vendoset në relacion me ngjarjet që vijuan pastaj në Kuvend atë mbrëmje, kjo mund t’i duket dikujt si provokim, por nëse e analizojmë në relacion me atë që ndodhi paraprakisht atë ditë deri në atë moment, kjo del diçka tjetër. (Një rrethanë tjetër: askush nga deputetët e Lëvizjes BESA nuk e kishte ditur skenarin vijues të asaj dite. Rrjedhimisht, nuk ka si të ishte provokim. Por, për këtë mund të flasim një herë tjetër).
Atë ditë që nga mëngjesi kishim përplasje me deputetët e VMRO-DPMNE-së se a e respektojnë shqiptarët himnin shtetëror. Dhe, unë shpjegova nga foltorja e Kuvendit se shqiptarët e respektojnë himnin shtetëror, edhe pse i kanë vërejtjet e tyre për përmbajtjen e tij ekskluzive. Që të mos zgjatej ai debat, nuk fola më shumë, por shpjegimi i BESËS, kjo në frymë të RIDEFINIMIT, është ky: ai himn është himni etnik i flamurit etnik maqedonas, i imponuar si himn shtetëror nga vullneti i shumicës maqedonase. Ne do ta respektojmë, për shkak të paqes dhe koekzistencës në vend, por të gjithë shqiptarët e Maqedonisë e shohin atë ashtu. Në anën tjetër edhe shqiptarët e kanë himnin e tyre etnik të flamurit të tyre etnik, që Republika e Shqipërisë e ka bërë shtetëror, por ai vazhdon të jetë himni etnik shqiptar që këndohet nga të gjithë shqiptarët kudo në botë. Prandaj, derisa maqedonasit e imponojnë himnin e tyre etnik si himn shtetëror dhe shqiptarët e respektojnë atë, do të pritej që edhe maqedonasit ta respektojnë himnin etnik të bashkëqytetarëve të tyre shqiptarë.

Mesazhet e intonimit të himnit

Në këtë frymë mesazhet e këndimit të himnit shqiptar në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë ishin këto:
• Për shqiptarët e Maqedonisë himni “Denes nad Makedonija se ragja” (Sot mbi Maqedoni po lind) është himn etnik i kombit maqedonas, njësoj si himni shqiptar “Rreth flamurit të përbashkuar”;
• Ne e respektojmë himnin etnik maqedonas, madje edhe si himn shtetëror të imponuar nga vullneti i shumicës, por presim që edhe maqedonasit ta respektojnë himnin etnik shqiptar;
• Nëse deputetët e VMRO-së e keqpërdorin foltoren e Kuvendit për të kënduar himn dhe kështu duan të shfaqin superioritet ndaj shqiptarëve, deputetët shqiptarë e kanë për detyrë t’u tregojnë se e respektojnë himnin e tyre, porse edhe ata e kanë himnin e tyre etnik dhe nuk ndjehen inferiorë për këtë;
• Kur një deputet maqedonas e këndon himnin maqedonas për të dëshmuar se e kujt është Maqedonia, është detyrim kombëtar, politik, por edhe më shumë se kaq, i deputetëve shqiptarë që ta bëjnë të njëjtën, për t’i dëshmuar atij dhe të tjerëve që mendojnë si ai se nuk lejojnë që askush t’u imponojë vullnet dhe t’i poshtërojë;
• Derisa deputetët e VMRO-së, përmes himnit, duan të dëshmojnë mburrje për triumfin ndaj shqiptarëve, është detyrim i shqiptarëve që, po ashtu përmes himnit shqiptar, t’u thuhet se as nuk u druhemi, as nuk kemi kompleks ta këndojmë himnin tonë jo për provokim, por për shkak të barazisë;
• Nëse maqedonasit duan bashkezistencë me shqiptarët, do të duhet të mendojnë se o do të ulen me shqiptarët të merren vesh, pra edhe për himnin, o do t’i shërbejnë thellimit të ndarjeve në këtë shtet;
• Lëvizja BESA, me RIDEFINIMIN e saj, qëmoti e ka bërë të ditur se e respekton himnin dhe simbolet e shtetit, porse ka vërejtjet e saj parimore. Kjo i bie se, përkitazi me himnin, ne e respektojmë atë si himn të kombit maqedonas dhe, për shkak se e ndajmë një shtet të përbashkët, do ta dëgjojmë në këmbë, por presim që edhe ata ta respektojnë himnin tonë, duke e dëgjuar në këmbë, ndërsa bashkërisht duhet të merremi vesh për një himn të përbashkët, që e reflekton shoqërinë multietnike në Maqedonisë.

E, nëse flasim se a është sot momenti i pikërishëm të hapet kjo temë, për këtë mund edhe të (mos) dakordohemi, por nëse deputetët maqedonas e imponojnë një temë të tillë, ne duhet ta themi qëndrimin tonë pa hezitim. Ta them të vërtetën, nuk e kuptoj këtë defanzivë të shqiptarëve, që t’u vijë turp, ta kenë kompleks dhe ta fajësojnë vetveten nëse e shprehin identitetin e tyre të lirë. Kjo është psikologjia e skllavit të dashuruar për pronarin e tij. Ai mendon se është fajtor pse shpreh një qëndrim që i përket lirisë së tij. Ndërkaq, qenia e lirë realizohet pikërisht nëse e shpreh lirinë e tij pa vetëcensurë.
Kjo që e shpjeguam më sipër i bie të jetë një ekzegjezë a hermeneutikë e një veprimi politik. E meqë ekzegjeza u referohet kryesisht teksteve të shenjta, edhe këtë po e vendosim në kontekst të këtillë: qëndrimi ynë, së paku në relacionet politike, nuk do të duhej të ishte sipas mësimeve të Isait (Jezuit): “Atij që të bie në faqen e djathtë, ktheja të majtën!”, por sipas mësimeve të Musait (Mojsiut): “Sy për sy, dhëmb për dhëmb”. Në këtë kontekst, në gjuhën politike, kjo i bie “Himn për himn”.
Prandaj, nëse dikush do të më pyeste se a do ta këndoja përsëri atë himn, përgjigja ime është: “Gjithsesi PO”. Sa herë që kjo temë do të shtrohet për t’i provokuar shqiptarët, ne duhet ta shprehim qëndrimin tonë dhe të jemi “të përbashkuar me një dëshir’ dhe një qëllim”.