Në javët e fundit forcat ruse kanë sulmuar infrastrukturën ukrainase 60 herë

Presidenti Volodymyr Zelenskiy ka paralajmëruar se Rusia mund të intesifikojë sulmet gjatë dimrit duke synuar infrastrukturën energjitike.

“Ne jemi pothuajse në gjysmë të rrugës sa i përket ofensivës dhe duhet të jemi të përgatitur për faktin se armiku mund të rrisë numrin e sulmeve me dronë ose raketa në infrastrukturën tonë. Dhe këtu, në Ukrainë, e gjithë vëmendja duhet të përqendrohet në mbrojtje, në përgjigjen ndaj terroristëve për të kaluar dimrin dhe për të përmirësuar aftësitë e ushtarëve tanë.”

Sulmet ruse shkatërruan disa ndërtesa në qytetin lindor të Avdiivka dhe ka të ngjarë të intensifikohen në ditët në vijim. Inteligjenca ushtarake ukrainase tha se një shpërthim vrau të paktën tre ushtarakë rusë në qytetin jugor të pushtuar nga Rusia, Melitopol, të cilin e përshkroi si një akt hakmarrjeje.

Dimrin e kaluar, rreth 10 muaj pas pushtimit të Rusisë ndaj fqinjit Ukrainë, Rusia intensifikoi sulmet ndaj termocentraleve dhe centraleve, duke nxitur ndërprerje të energjisë elektrike në rajone. Në vetëm javët e fundit Rusia ka goditur infrastrukturën ukrainase 60 herë, një tregues se një fushatë sulmesh tashmë po zhvillohet.

Gjithashtu edhe sulmet ajrore janë në rritje kryesisht në Bakhmut. Bakhmut, në veri të qytetit të Donetsk, u kap nga forcat ruse në Maj pas muajsh luftimesh të rënda, por trupat ukrainase që atëherë kanë rimarrë disa nga fshatrat. Nga ana tjetër Rusia ka akuzuar Kievin për sulme të tjera në rajonet kufitare kryesisht në Bryansk dhe Belgorod, duke dëmtuar pesë vagonë ​​treni dhe duke plagosur një person. Zyrtarët rusë kanë fajësuar më parë diversantët pro-ukrainas për disa sulme në sistemin hekurudhor të vendit.

Ndërkaq rreth pesë milionë njerëz në Ukrainë janë detyruar të zhvendosen nga shtëpitë e tyre në pjesë të tjera të vendit, për shkak të sulmeve ruse, sipas të dhënave zyrtare. Zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereschuk, tha në televizionin shtetëror ukrainas se 4.9 milionë njerëz janë regjistruar si të zhvendosur brenda vendit. Sipas të dhënave të fundit të Kombeve të Bashkuara, rreth 6.2 milionë ukrainas kanë ikur jashtë vendit.