Profesori Universitar Izet Zeqiri, në një intervistë për Faktor, ka folur mbi ndikimet ekonomike nga Covid 19 në Maqedoninë e Veriut.

Profesori Zeqiri, flet për mobingun e vendeve të punës në vend, për të cilat siç shprehet, edhe përskaj ndryshimeve ligjore, për fat të keq, ende nuk çrrënjosur, informon Zhurnal.

Zeqiri shprehet se krizën që pandemia e ka shkaktuar tek kompanitë, edhe më shumë e ka rritur shqetësimin psikologjik mbi punëtorët. Duke u frikësuar për mos ta humbur punën, rrallë prej tyre drejtësinë e kërkojnë në Gjykatë sepse madje e kanë humbur edhe besimin në sistemin e drejtësisë.

Profesori thotë se është koha e fundit që viktimat e mobingut të marin guximin dhe të kërkojnë drejtësinë dhe punonjësit të mbrohen nga kjo dukuri e keqe.

“Përshkak pandemisë dhe gjendjes së krizës në kompani dhe institucione nga sektori publik, ka rritje të numrit të të punësuarve të cilët janë viktimë e shqetësimit psikologjik dhe mobingut në vendin e punës. Mirëpo, viktimat e mobingut rralëë herë drejtësinë e kërkojnë përmes procedurave gjyqësore sepse frikësohen se mos ta humbin vendin e punës dhe madje nuk kanë besim në organet gjyqësore, sepse fenomeni i mobingut është i komplikuar, që shkaktuesit e saj dhe pasojat nuk mund të gjenden në përgjithësi”, është shprehur mes tjerash Zeqiri.

Ai më tej thotë se është e patjetërsueshme vendosja e një sistemi efikas për parandalim dhe mbrojtje nga të gjitha llojet e shqetësimeve në vendin e punës.

“Është koha që të zbatohet një qasje integruese për mbrojtje nga mobingu në vendin e punës, ku do të bëhet një bashkëpunim mes palëve të interesuara, duke filluar nga punonjësit, punëdhënësit, pronarët e ndërmarjeve si dhe sektori qytetar”, ka deklaruar profesori Zeqiri.

Zeqiri konsideron se viktima më të shpeshta të mobingut mund të jenë kategoria e qytetarëve me të meta fizike dhe psiqike, çirakët, punonjësit më të rinjë, ata që dallojnë në fe, gjini apo orientim seksual si dhe ata që janë të turpshëm dhe të qetë./Zhurnal.mk