Zëvendëskomandanti i njësitit policor ka penguar një polic i cili e ka ndjekur njërin nga dhunuesit, sulmuesit që e rrahën ekipin gazetaresk të portalit A1on, ndërkaq polici ka përgatitur edhe vërejtje zyrtare.

Sipas TV Telmas, pas sulmit të ekipit gazetaresk, kur polici është përpjekur që ta ndalojë njërin nga ata, zëvendëskomandanti i njësitit i cili është në përbërje të SPB Shkupi, ka urdhëruar që ta ndalojë ndjekjen dhe të kthehet te të lënduarit.

Lajmin e konfirmon edhe ministri i Brendshëm, Agim Nuhiu. Ai tha se kërkohen informata shtesë që të vendoset nëse do të ngritët procedurë disiplinore, kundër zëvendëskomandantit të njësitit e cila nuk është në uniformë.

Sipas televizionit, zëvendëskomandanti i njësitit ka qenë edhe pjesë e “bombave” të LSDM-së të cilat hetohen në PSP. Në një bisedë, dëgjohet duke iu ankuar ish ministrja e MPB-së, Gordana Jankullovska, ish shefit të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim, Sasho Mijallkov, se një zëvendëskomandant në zgjedhjet në Strugë, ia ka vendosur pistoletën në kokë një njeriut pasi që ka marrë ankesë edhe nga OSBE.

Kundër këtij zëvendëskomandantit, sipas televizionit është ngritur edhe hetim për falsifikim të diplomës së shkollës së mesme.