Kur kanë ngelur diku më shumë se 3 muaj deri në mbajtjen e zgjedhjeve lokale në vend, partitë politike kanë nisur të zyrtarizojnë disa nga kandidatët në disa komuna të cilët do të kërkojnë besimin e qytetarëve, shkruan TVM2.

Partia Demokratike Shqiptare pas zyrarizimit të Sadi Bexhetit si kandidat për Tetovën, të shtunën kjo parti vendosi të rikandidoj Azem Sadiku për Komunën e Studeniçanit.

“Do ta vazhdoj luftën dhe betejën politike bashkë me PDSH për të larguar prej politikës manipulant të ndryshëm që janë në pushtet. Komuna juaj ka ndryshuar në kohën e qeverisjes së PDSH-së por pa diskutuim në kohën kur e këtë komunë e ka drejtuar Azem Sadiku. Unë do të jem në përkrahje të vazhdueshme të Azem Sadiku që jeta e banorëve të këtyre anëve të jetë më e mirë, më kualitative dhe më e zhvilluar në të gjitha aspektet” – tha Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi.

BDI ka konfirmuar vetëm dy kandidatura, Arifi në Likovë, Izairi në Zhelinë, priten të tjerët

Edhe partitë e tjera kanë filluar të bëjnë publike emrat e parë. Nga BDI tashmë dihet që Erkan Arifi rikandidon edhe për një mandat në Likovë, ndërsa Fatmir Izairi do t’i futet garës për Komunën e Zhelinës.

Një gjë të tillë e bëri të ditur vetë Izairi, nëpërmjet një postimi në Facebook, ku njoftoi se kandidatura e tij ka marrë aprovimin nga kreu i partisë.

Për të gjitha komunat tjera janë përfolur emra të mundshëm si kandidat nga BDI por se të gjitha deri në këto momente kanë mbetur vetëm spekulime.

ASH-AA ka konfirmuar 3 kandidatura, rikandidime në Gostivar, Bogovinë dhe Vrapçisht

Kolacioni ASH-AA ka konfirmuar tashmë 3 kandidaturat e para. Edhe atë bëhet fjalë për kryetarët aktual të Gostivarit, Bogovinës dhe Vrapçishtit. Në këto 3 komuna ky koalicion do të kandidon me krerët aktual, Taravarin, Xhemailin dhe Shabanin. Për kanidatët nëpër komunat tjera nga ky kolaicion kanë njoftuar se do të vendosin në muajin gusht ose fillim të të shtatorit.

BESA e vetme në zgjedhjet lokale, Bilalli pretendon Tetovën, Zendeli Gostivarin

Edhe Lëvizja BESA ka njoftuar se do të jetë pjesë si e vetme në këtë garë zgjedhore. Për Tetovën është deklaruar vetë kreu i kësaj partie Bilall Kasami se është i interesuar për t’i hyjë garës për herë të dytë, ndërsa për Gostivarin ambicie për t’u rikandiduar ka shprehur deputeti aktual Fadil Zendeli.